Spitali i Gjakovës mohon akuzat për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor: Pacientja ishte qe tre vjet në gjendje komatoze

13:06 | 29 Nëntor 2025
E.K

Një grua, M.R., ka vdekur dje në Gjakovë. Policia e Kosovës njoftoi se bashkëjetuesi i saj kishte ngritur dyshime për “trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor” dhe ka nisur një hetim lidhur me rastin.

Por Spitali “Isa Grezda” ka reaguar, duke theksuar se M.R. ka qenë në gjendje komatoze për më shumë se tre vjet dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka marrë trajtim të pandërprerë në Kujdes Intensiv Qendror.

Spitali thekson se denoncuesi nuk është pjesë e familjes dhe deklaratat e tij nuk përputhen me faktet, duke i cilësuar ato si një tentativë për të njollosur punën e stafit.

“Denoncuesi nuk është pjesë e familjes së pacientes. Deklaratat e tij nuk përputhen me faktet dhe paraqesin tentativë të qëllimshme për të njollosur punën e stafit mjekësor, i cili për tri vite ka ofruar kujdes të pandërprerë, profesional dhe të përgjegjshëm. Edhe pse Kujdesi Intensiv operon me rregulla strikte për vizitorët, për shkak të ndjeshmërisë së rastit janë bërë tolerime të kontrolluara, dhe familjarët kanë qenë të pranishëm në Kujdes Intensiv Qendror gjatë gjithë kohës sa ka jetuar pacientja”, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Spitali njofton se vizitat në Kujdesin Intensiv operohen me rregulla strikte, por familjarët e pacientes kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë qëndrimit të saj.

Institucioni bën apel që Inspektorati Shëndetësor, Policia dhe Prokuroria të trajtojnë rastin me seriozitet dhe të mos lejojnë shpifje apo manipulime që mund të dëmtojnë punën e punëtorëve shëndetësorë./Arbresh.info

Policia nis hetimet pas vdekjes së një gruaje në Gjakovë, dyshime për neglizhencë mjekësore