Portreti i Adem Jasharit me mbi 1000 letra, i krijuar nga 16-vjecari në nder të 70- vjetorit të lindjes së heroit kombëtar

09:09 | 28 Nëntor 2025
R J

Është vetëm 16 vjeçar dhe talentin e tij artistik ka zgjedhur ta shprehë përmes krijimit të figurës së heroit kombëtar, Adem Jashari.

Fatjon Gashi nga Skenderaj, tregon sesi mund ta përdorë talentin e tij artistik për të nderuar heronjtë kombëtarë.

Ai për Arbresh.info, tregon sesi ka krijuar një portret gjigant të komandantit legjendar, Adem Jashari, për nder të ditëlindjes së tij, dhe festës së 28 Nëntorit, ditës së flamurit kombëtar.

Për t’u krijuar kjo vepër madhështore, 16 vjeçari thekson se ka përdorur rreth 1000 letra të  thyera rreth 11 mijë  herë.

Vepra artistike është e madhe mbi 20 metra

“Ideja ka qenë më e nderu familjen Jashari, me i nderu të gjithë dëshmorët e kombit, me e nderu Adem Jasharin për nder të 70 vjetorit të tij të lindjes, në ditëlindjen e tij për 28 Nëntor. Vepra është e krijuar me letër me ka marre kohe qe nga shtatori, 28 nëntori në shtëpinë time ka ardh që në shtator kam punuar që dy muaj për këtë vepër ka dal shumë mirë, po pëlqehet nga figura  më të rëndësishme të vendit. Janë mbi 1000 letra, afro 11 mijë thyerje të letrës më ka marrë shumë kohë është mbi 20 metra katrorë. Pjesa më e vështirë e procesit ka qenë tek koka, koordinimi me plisin, sepse është arti pixel, art në katrora”, thotë ai.

Portreti tashmë po tërheq vizitorë të shumtë. Gashi, madje tregon se veprën e tij e kanë parë dhe pëlqyer edhe ish-deputetë dhe pjesëtarë të familjes Jashari.

“Ka vizitor mjaftueshëm, besojë që do të ketë edhe më shumë sepse po nderohet figura më e rëndësishme e popullit tonë. Ka qenë edhe deputetja e kuvendit te Kosovës, Sala Jashari. Si pjesëtare e familjes Jashari kam marrë komente shumë të mira prej saj më ka uru që po punoj në këtë vepër”, u shpreh Fatjoni.

Me durim, pasion dhe kreativitet, ky i ri  na tregon sesi artin mund ta përdorësh për të ruajtur kujtimin e historisë dhe për të nderuar heronjtë kombëtarë./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme