Rama: 92% e shqiptarëve mbështesin BE, integrimi prioritet kombëtar

18:17 | 18 Nëntor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se mbështetja për Bashkimin Evropian është jashtëzakonisht e lartë në Shqipëri, me 92% të qytetarëve të anketuar që shprehin besnikëri ndaj BE-së.

Në fjalën e tij gjatë Forumi të Zgjerimit që u mbajt në Bruksel, Rama theksoi se 91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, duke i dhënë një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar për përkushtimin e Shqipërisë në këtë proces.

Ai theksoi gjithashtu se, megjithëse një pjesë e vogël e popullsisë mund të shprehin rezerva, ato shpesh janë të ndikuara nga faktorë të përkohshëm, si tensionet e përditshme që lidhen me trafikun apo ngjarje të tjera të përkohshme.

“Në barometrin e fundit europian mbi qëndrimet ndaj zgjerimit të BE-së, Shqipëria doli në krye të asaj liste, me 92% të qytetarëve të saj besnikë ndaj BE dhe 91% mbështetës të anëtarësimit. Por më lejoni të sqaroj një gjë këtu dhe që të sigurohemi, që ju as të mos guxoni të mendoni se ai 8 apo 9% i mbetur nuk janë besnikë ndaj BE apo, mos e dhëntë Zoti, janë kundër anëtarësimit. Nëse i heqim disa faktorë të jashtëm, shqiptarët janë 100% mbështetës të BE-së dhe 100% mbështetës të anëtarësimit”, u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu kujtoi se ideali i Bashkimit Evropian ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore, në një periudhë të pasigurisë dhe ndarjeve të thella, kur kontinenti ishte i ndarë nga një “perde ideologjike”./atsh

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme