Samiti për Zgjerimin e BE-së, Rama: Procesi është ringjallur

16:36 | 18 Nëntor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur një fjalë në Samitin e Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një platformë e përhershme dialogu mbi të ardhmen e zgjerimit dhe integrimin e vendeve kandidate në BE.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se muajt e fundit procesi i zgjerimit ka marrë një ritëm të ri, duke vlerësuar angazhimin e komisioneres së Zgjerimit, Marta Kos.

“Këto muaj komisionerja e Zgjerimit Marta Kos i ka mbushur këto me lëvizje dhe me rezultate. Deri vonë besoja se Brukseli ishte varrosur dhe nuk kishte shans që do ringjallur,” u shpreh Rama, duke nënvizuar se kjo periudhë ka gjeneruar kaq shumë debat konstruktiv dhe “oksigjen të pastër” në politikë.

Ai theksoi se rruga europiane e Shqipërisë ka qenë e gjatë dhe shpeshherë e vështirë.

“Nuk më kujtohet kur ka qenë hera e fundit që procesi zgjerimit të ketë ngjallur kaq debat konstruktive dhe oksigjen të pastër në politikë. Për Shqipërinë ky rrugëtim nuk ka qenë një rrugë e drejtë e mbushur me duartrokitje, ka qenë një rrugë e gjatë shpesh e stigmatuar dhe me steritipe të amplifikuara nga mediat perëndimore”, tha Rama.

Rama u shpreh se Shqipëria mbetet e përkushtuar të jetë gati plotësisht për anëtarësim kur të vijë momenti.

“BE nuk i mbajti premtimet e saj ndaj Shqipërisë, por për ne u shfaq si një lloj bekimi, ku ne vazhduam përpara se këto reforma po i bënim për vendin tonë dhe jo për Brukselin. BE është burimi ynë i hapur i njohurive dhe vazhdojmë punën që të jemi plotësisht gati kur të vijë momenti i duhur”, tha ai./RTSH.AL

Të ngjashme