Ushtria izraelite akuzoi të hënën FINUL-in, forcën paqeruajtëse të OKB-së në Liban, se kishte rrëzuar të dielën një nga dronët e saj “të zbulimit” në jug të Libanit, pranë Kfar Kilas, gjatë një “misioni rutinë”.
Ushtarët e OKB-së nga ana e tyre thanë të dielën se kishin marrë “masa mbrojtëse” kundër një pajisjeje (droni) që fluturonte në mënyrë agresive mbi një patrullë të tyre.
“Një hetim paraprak sugjeron se forcat e FINUL-it, të stacionuara aty pranë, qëlluan me qëllim mbi dron dhe e rrëzuan atë”, shkroi në rrjetin social X togeri Nadav Shoshani, zëdhënës i ushtrisë izraelite, i cili shtoi se po zhvillohet një hetim, për të shqyrtuar rrethanat e incidentit.
Në komunikatën e saj, FINUL-i sqaroi se ky dron ishte rrëzuar, pasi ushtarët e OKB-së ishin vënë në shënjestër, në të njëjtën zonë në qarkun Marjeyoun, nga të shtënat izraelite.
Gjatë një patrulle, një dron izraelit iu afrua ushtarëve të OKB-së dhe “hodhi një granatë”, shpjegoi misioni i OKB-së.
Pak më pas, një “tank izraelit qëlloi në drejtim të ushtarëve të OKB-së”.
Këto të shtëna nuk shkaktuan as viktima dhe as dëme.
Po atë të diel, në të njëjtën zonë, siç e kishte konfirmuar edhe një zëdhënëse e FINUL-it për “L’Orient-Le Jour”, një dron izraelit “fluturoi në mënyrë agresive mbi një patrullë”, duke i shtyrë ushtarët të “zbatonin masa mbrojtëse për ta neutralizuar”.
Shkelje e rezolutës 1.701 dhe e sovranitetit libanez
Sipas korrespondentit tonë në rajon, Mountasser Abdallah, batalioni i përfshirë në këtë incident ka shumë mundësi të jetë me kombësi franceze. Një informacion që FINUL nuk ka dashur ta konfirmojë.
Të rrëzosh një dron është një veprim shumë i rrallë për FINUL-in.
Më 17 tetor 2024, gjatë luftës së hapur midis Hezbollahut dhe Izraelit, një anije e marinës gjermane që merrte pjesë në FINUL, kishte neutralizuar një dron në brigjet e Libanit.
Ushtarët e misionit të OKB-së, përkundrazi, shpesh herë janë vënë në shënjestër nga ushtria izraelite.
Më 12 tetor, një ushtar ishte plagosur nga një granatë e hedhur nga një dron izraelit.
FINUL-i në komunikatën e tij dënoi disa shkelje nga ushtria izraelite të rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit (2006) dhe të sovranitetit libanez, dhe gjithashtu dënoi një “mungesë konsiderate për sigurinë” e ushtarëve të saj.
Abdixhiku pas takimit të kryesisë: Zgjodhëm dialogun, përçar...
Berisha: Shqiptarët dhe mbarë bota po pret guximin tonë në p...
Vinicius mund të rinovojë me Real Madridin së shpejti
Radev jep dorëheqje si president i Bullgarisë mes thashethem...
KEK-u padit Janina Ymerin për deklaratat e saj për rrymën në...
Përfundon mbledhja, LDK thërret Kuvendin më 31 janar –...