Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance nis vizitën në Izrael për shpëtimin e armëpushimit në Gazë

11:42 | 21 Tetor 2025
E.K

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance, ka nisur udhëtimin drejt Izraelit, ku pritet të takojë kryeministrin e qeverisë së Tel Avivit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin Isaac Herzog.

Qëllimi i vizitës, në të cilën Vance shoqërohet nga bashkëshortja e tij Usha, është mbikëqyrja e marrëveshjes së brishtë të armëpushimit në Rripin e Gazës, e ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe që është në fuqi që nga 10 tetori.

Ndërsa Hamasi është i gatshëm të gjejë dhe lirojë 15 trupat e pengjeve të mbajtura në Rrip nëse i jepet më shumë kohë dhe pajisje të rënda, sipas udhëheqësit të organizatës islamiste, Khalil al-Hayya.

Një armëpushim në Gaza është në rrezik dhe Trump ka lëshuar kërcënime të reja ndaj lëvizjes militante islamike:

“Nëse shkel armëpushimin, do të shkatërrohet”. Të dërguarit Witkoff dhe Kushner po takohen me Netanyahun për të mbështetur procesin e paqes. Dhe sot, JD Vance po mbërrin gjithashtu në Izrael.

Zëvendëspresidenti Vance, u nis nga Shtetet e Bashkuara për në Izrael të hënën në mbrëmje. The Jerusalem Post shkruan se Vance do të pritet në aeroportin Ben-Gurion nga zëvendëskryeministri, ministri i Drejtësisë dhe ministri i Brendshëm, Yariv Levin.

Në orët e fundit, Netanyahu ka zhvilluar takime me të dërguarin special të Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit Donald Trump, për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon.

Gjatë takimeve, të dërguarit theksuan rëndësinë e ruajtjes së marrëveshjes dhe thanë se “është legjitime të veprohet në vetëmbrojtje, por jo në një mënyrë që rrezikon armëpushimin.”

Zyrtarë të administratës Trump kanë deklaruar se vizita e Vance thekson rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të marrëveshjes.

Hamasi ka akuzuar forcat izraelite për 80 shkelje të armëpushimit, ndërsa ushtria izraelite pretendon se fraksioni palestinez e ka thyer marrëveshjen javën e kaluar gjatë përleshjeve në Rafah.

Detajet e programit të Vance nuk janë bërë publike, por pritet që ai të marrë pjesë së bashku me Netanyahun në aktivitete me familjet e pengjeve izraelite dhe të zhvillojë bisedime me presidentin Herzog.

Ndër temat që Vance do të trajtojë me autoritetet izraelite janë: respektimi i armëpushimit, kthimi i trupave të pengjeve të vrarë, çarmatimi i Hamasit dhe rindërtimi i Gazës.

Vance ishte për herë të fundit në Izrael në qershor, kur u takua me kryeministrin, shefin e shtabit të ushtrisë izraelite Eyal Zamir, ministrin e Mbrojtjes Israel Katz dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për të diskutuar pjesëmarrjen e mundshme të SHBA-ve në sulme ndaj Iranit./rtsh