Rama: Komisioni i Venecias, kontribut historik për Reformën në Drejtësi

17:46 | 20 Tetor 2025
E.G

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vlerësuar rolin vendimtar të Komisionit të Venecias në rrugëtimin demokratik të Shqipërisë, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e organizuar me rastin e 30-vjetorit të anëtarësimit të vendit në këtë institucion prestigjioz të Këshillit të Evropës.

“Komisioni i Venecias e ka demokratizuar Shqipërinë,” deklaroi Rama, duke theksuar se për një vend që sapo kishte dalë nga një diktaturë e egër, ky institucion ishte vendimtar në ndërtimin e një shteti të drejtë dhe të qëndrueshëm.

Rama e cilësoi simbolikisht vitin 1990 si momentin kur Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare u bënë “shokë materniteti”, duke e përshkruar Komisionin si një fëmijë të Europës së ribashkuar në vlerat e lirisë, ndërsa demokracinë shqiptare si një ëndërr të shumëpritur që më në fund po merrte formë.

“Simbolikisht mund të thuhet se Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë ‘materniteti’, kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990. Komisioni i Venecias si një fëmijë i Europës së ribashkuar në vlerat e lirisë dhe me dëshirën për t’u njësuar me parimet e demokracisë, dhe demokracia shqiptare si një ëndërr e shumë ëndërruar që më në fund pa të hapur shtegun e saj.”

Ai theksoi se historia e zhvillimit demokratik të Shqipërisë është ngushtësisht e lidhur me rritjen dhe forcimin e influencës së Komisionit të Venecias mbi proceset institucionale, duke e cilësuar atë si një mbështetje të mençur, bujare dhe të paanshme në kërkim të standardeve më të mira.

“Historia e zhvillimit demokratik është ngushtësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të influencës së Komisionit të Venecias mbi procese që në vende si Shqipëria kanë pasur nevojën e ndihmës, mbështetjes së mençurisë dhe një asistenti bujar e të paanshëm në kërkim të standardeve më të mira”.

Në vijim, Kryeministri veçoi kontributin e Komisionit në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998, si dhe ndërhyrjet vendimtare në procese të rëndësishme ku opinioni i tij ka orientuar drejtimin e reformave.

“Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi, opinioni i Komisionit ka luajtur një rol vendimtar për vetë kahun e procesit,” tha Rama.

Ai veçoi dy kontribute kyçe të Komisionit për historinë e re të Shqipërisë në përmirësimin thelbësor të Kodit Zgjedhor dhe mbështetjen historike për Reformën në Drejtësi, të cilën e cilësoi si “reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka ndërmarrë vendi”.

“Komisioni i Venecias ka në bilancin e vet një sërë ndërhyrjesh të rëndësishme në procese ku mendimi, opinioni i Komisionit ka luajtur një rol vendimtar për vetë kahun e procesit. Komisioni ka kontribut për Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë forcuar garancinë e standardeve demokratike. Komisioni ka kontribut historik për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, që është Reforma në Drejtësi.”

Rama nënvizoi se pa ndihmën e Komisionit, procesi i Vetingut nuk do të kishte qenë i mundur.

“Komisioni ka qenë bashkudhëtar i pandarë, udhërrëfyes i matur dhe autoritet që na ka ndihmuar të ruajmë busullën dhe të orientohemi në drejtimin e duhur,” përfundoi ai./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale