Kompany: Nuk merrem me të kaluarën, mendoj vetëm çfarë duhet të bëjmë për t’i mposhtur nesër

17:11 | 14 Prill 2026
D.H

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, ka folur para ndeshjes vendimtare ndaj Real Madrid në Ligën e Kampionëve, duke theksuar rëndësinë e përgatitjes fizike dhe mendore, si dhe kujdesin maksimal ndaj një kundërshtari të rrezikshëm.

Kompany sqaroi se stërvitja me porta të vogla nuk kishte të bënte me dimensionet, por me ritmin dhe reagimin e skuadrës.

“Bëhet fjalë për intensitetin dhe aktivizimin. Është një mënyrë për të mësuar të luajmë edhe në situata kaotike. Kështu e quajmë ne – aktivizim”.

Trajneri belg theksoi se nuk ka një faktor të vetëm vendimtar për sfidën.

“Është e vështirë të veçosh një gjë. Mund të flasim për cilësitë individuale, lojën kolektive, intensitetin, përkushtimin apo aftësinë për të vuajtur në fushë. Edhe një vendim i arbitrit mund të ndikojë, megjithëse shpresoj jo. Çdo detaj ka rëndësi. Për ne më e rëndësishmja është që jemi të përgatitur fizikisht dhe mendërisht”.

Kompany komentoi edhe mundësinë e pezullimeve për gjysmëfinale.

“Nuk ka rëndësi për këtë ndeshje. Por për të ardhmen, mendoj se rregulli me vetëm tre kartonë të verdhë është shumë i ashpër. Në këto faza të garës mund të prishë planet dhe edhe një vendim i padrejtë mund të shkatërrojë ëndrrat”.

Ai foli edhe për Gnabryn e Musialan.

“Është mirë dhe mund të luajë. Të gjithë lojtarët janë në dispozicion. Nuk do të rrezikojmë, por çdo futbollist i gatshëm mund të luajë edhe 90 minuta”.

“Është në rrugën e duhur, shumë pranë 100%. Ka përmirësim të madh edhe mentalisht. Por duhet durim, është lojtar shumë i rëndësishëm për ne”.

Trajneri i Bayernit paralajmëroi për rrezikun që paraqet kundërshtari.

“Jemi të përgatitur për versionin më të mirë të Real Madridit. Situata e tyre aktuale nuk e pasqyron cilësinë reale. Është një nga ekipet më të mira në botë”.

Ai shtoi se historia nuk ndikon në ndeshjen e radhës.

“Nuk merrem me të kaluarën. Mendoj vetëm çfarë duhet të bëjmë për t’i mposhtur nesër”.

Duke folur për ndeshjen e parë, Kompany tha: “Ishte një rezultat i mirë, por asgjë më shumë. Kemi një avantazh të vogël dhe luajmë në shtëpi, por do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Asgjë nuk është vendosur”.

Sfida çerekfinale mes Bayern Munich dhe Real Madrid zhvillohet nesër me fillim nga ora 21:00./Arbresh.info