Shqetësime tek Arsenal në një javë vendimtare për rrjedhën e sezonit, pesë lojtarë munguan në stërvitjen e sotme

17:33 | 14 Prill 2026
D.H

Arsenal do të përballet me Sportingun e Lisbonës në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve të mërkurën, ndërsa të dielën i pret një duel vendimtar për titull ndaj Manchester City.

Pesë lojtarë kyç munguan në stërvitjen e së martës e cila u zhvilluar para ndeshjes me portugezët, shkruan Arbresh.info.

Në seancën stërvitore të fundit nuk u panë Riccardo Calafiori, Martin Ødegaard, Declan Rice, Bukayo Saka dhe Jurrien Timber.

Nga këta, vetëm Rice luajti në humbjen 2-1 ndaj Bournemouth në fundjavë, duke qëndruar në fushë për 90 minuta. Mungesa e tij në stërvitje ka ngritur shqetësime, megjithëse ende nuk është konfirmuar nëse do të mungojë ndaj Sportingut.

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, nuk dha shumë detaje për gjendjen e mesfushorit.

“Nuk dua të sqaroj tani. Duhet të presim dhe të shohim si është. Ai nuk ishte në gjendje të stërvitej”, tha ai.

Ai shtoi se vendimi përfundimtar do të merret para ndeshjes.

“Duhet të presim deri nesër në mëngjes për të parë gjendjen e disa lojtarëve”.

Ndërkohë, kishte edhe lajme pozitive për londinezët, pasi Piero Hincapié dhe Eberechi Eze u panë në stërvitje, pasi në ndeshjen e fundit ishin vetëm në stol.

Arsenali hyn në këtë përballje me një avantazh minimal 1-0, falë golit të vonshëm të Kai Havertz në Lisbonë.

Pas sfidës evropiane, skuadra londineze do të përballet me një tjetër test të madh ndaj Manchester Cityt, në një ndeshje që mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në garën për titull./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale