Vrau vëllanë dhe kunatën brenda biznesit të tyre, burg përjetë për Arsen Muskurti

19:04 | 15 Tetor 2025
E.H

Gjykata ka dënuar me burgim të përjetshëm Arsen Muskurtin, autorin e vrasjes së vëllait të tij Dritan Muskurti dhe të kunatës Nora Muskurti, ngjarje e ndodhur në vitin 2022 në Tiranë.

Sipas Prokurorisë, më 31 gusht 2022, Muskurti hyri i armatosur në agjencinë e udhëtimeve “Nour Tours”, ku punonin viktimat, dhe hapi zjarr me armë zjarri, duke i lënë të vdekur në vend.

Vendimi i gjykatës parashikon që dënimi i tij të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, duke filluar nga dita e arrestimit, më 30 gusht 2022.

Prokuroria vërtetoi fajësinë e tij për tre vepra penale:

“Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, për vrasjen e vëllait, Dritan Muskurti – me burgim të përjetshëm;

“Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, për vrasjen e kunatës, Nora Muskurti – me burgim të përjetshëm;

“Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” – me 7 vjet burg.

Gjatë hetimeve, Arsen Muskurti deklaroi se drejt vrasjes e kishin çuar konfliktet e vazhdueshme me të vëllanë, të cilin e akuzonte për shantazhe ndaj tij dhe prindërve.

Sipas dosjes gjyqësore, marrëdhëniet mes vëllezërve kishin qenë të tensionuara prej kohësh, me përplasje të përsëritura dhe procese gjyqësore që nuk arritën të zgjidhnin konfliktet familjare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme