Java e shëndetësisë së Turqisë, sjell në Kosovë mjekët turq

20:34 | 2 Shkurt 2016
M. A.

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës me Qeverinë e Republikës së Turqisë, nga data 20 Shkurt deri më 28 Shkurt 2016 mbahet java e shëndetësisë së Turqisë në Republikën e Kosovës, ku mjekë ekspertë nga Turqia vijnë për të kryer operacione të ndërlikuara për pacientët e Kosovës.

Me fillimin e javës turke, ekspertë nga Turqia vizitat mjekësore dhe operacionit do t’i kryejnë në QKUK, në koordinim me drejtorët e klinikave përkatëse dhe mjekët specialistë të klinikave.

Sipas komunikatës, me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, është formuar grupi koordinues i cili do të bëj koordinimin e aktiviteteve përkatëse lidhur me realizimin e programit të javës shëndetësore në këtë periudhë.

“Grupin punues do ta udhëheqë Kadir Hyseni, zëvendësministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, përderisa grupi përveç tij, përbëhet edhe nga 12 anëtarë të tjerë. Grupi punues ka mbajtur takimin e parë ku nga kryesuesi është informuar në lidhje me fushat në të cilat do të vijnë ekspertët nga Turqia, të cilët po ashtu, pritet të sjellin disa paisje dhe material shpenzues”, thuhet tutje.

Ekspertët më eminentë nga Turqia që do të vijnë në Kosovë janë nga fusha e kardiologjisë, kardiokirurgjisë së të rriturve dhe fëmijëve, anestezionit dhe mjekimit intensiv, kirurgjisë së fëmijëve, obstetrikës me gjinekologji, kirurgjisë plastike dhe rekonstruktime, urologjisë, kirurgjisë abdominale, oftalmologjisë dhe infermierisë.

Kjo është herë e tretë që ekspertët nga Turqia vijnë në Kosovë për të realizuar operacione të ndërlikuara për pacientët nga Kosova.

Shpërndaje në rrjete sociale