Ardhja e Albian Hajdari te Kosova, FFK: Kombëtarja ka fituar një zemër të re në fushë dhe një muri të ri në mbrojtje

13:12 | 29 Shtator 2025
E.G

Albian Hajdari është futbollisti më i ri i Kombëtares së Kosovës dhe ai do të grumbullohet në muajin tetor, ku Dardanët do të luajnë ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.

Qendërmbrojtësi i ri kosovar ka zgjedhur Kosovën duke u larguar nga Kombëtarja A e Zvicrës me të cilën ka zhvilluar një ndeshje miqësore.

Ishte fillimisht mediumi zviceran Blick që ka lajmëruar për zgjedhjen e Hajdarit dhe tani Federata e Futbollit të Kosovës ka konfirmuar ardhjen e tij.

“Kombëtarja e Kosovës ka fituar një zemër të re në fushë dhe një muri të ri në mbrojtje. Qendërmbrojtësi i talentuar i Hoffenheim-it, Albian Hajdari, ka marrë vendimin e madh për t’u bashkuar me fanellën dardane. Albiani iu bashkua rrënjëve të tij, duke u kthyer në shtëpinë e tij, Kosovën. Hajdari, i rritur në futbollin zviceran e me një karrierë premtuese në Bundesligë, tani ka zgjedhur që të shkruajë historinë e tij me fanellën dardane. Vendimi i tij është një mesazh i qartë: Kosova është foleja e ngrohtë dhe zemra gjithmonë rreh më fort për atdheun. Mirë se vjen, Albian! Kosova është më e fortë me ty!”, thuhet në njoftim.

Krejt në fund i pari i futbollit kosovar tha se prurjet te Kosova do të vazhdojnë çdo muaj.

“Fatmirësisht kemi talente të mëdha nëpër gjithë Evropën. Jo vetëm Leoni e Albiani, por prurjet do të vazhdojnë çdo muaj te Kombëtarja A e Kosovës. Gjatë gjithë kohës kemi prurje të reja jo vetëm te Kombëtarja A, por edhe te grupmoshat dhe Kombëtarja e femrave. Kosova është në rrugën e duhur dhe urojmë që këta futbollistë të talentuar të shkëlqejnë me Kombëtaren tonë edhe në ndonjë Kampionat Botërorë ose Evropian”, përfundoi Ademi. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale