Prokuroria e Tiranës sekuestroi pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetases S.T., me profesion notere, si dhe të familjarëve të saj. Konkretisht, sipas Policisë së Tiranës janë sekuestruar 13 pasuri të paluajtshme dhe 5 llogari bankare, me vlerë 3 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë periudhës 2013–2024, shtetasja S.T. ka kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh për blerjen e pasurive të paluajtshme, përfshirë apartamente, dyqane, poste parkimi dhe një vilë në kompleksin “Rolling Hills”.
Kjo shtetase, bëri të ditur Prokuroria e Tiranës, ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht në makina luksoze dhe sende me vlerë, të cilat nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhurat nga aktiviteti i saj si notere.
“Nga verifikimet, u konstatua një mospërputhje e dukshme midis të ardhurave të ligjshme të deklaruara dhe shpenzimeve të kryera për këto investime. Dyshohet se një pjesë e fondeve të përdorura për blerjen e pasurive kanë ardhur nga ish-bashkëshorti i saj, shtetasi K.P., i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane dhe është dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit”, me një dënim maksimal deri në 21 vjet burgim”, njoftoi Prokuroria.
Vendosja e masës së sekuestros preventive, sipas Prokurorisë, synon të garantojë ruajtjen e pasurive gjatë hetimit penal dhe të parandalojë transferimin apo përdorimin e tyre për fshehjen e origjinës së paligjshme.
Prokuroria vijon hetimet për dokumentimin e plotë të burimeve financiare dhe të pasurive të dyshuara.
Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat ...
Vdes veterani i UÇK-së Shani Kurtaj
Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shq...
Sulm në aeroportin Heathrow në Londër, arrestohet një person...
Pas dy vitesh luftë ndizet sërish Pema e Krishtlindjes në Be...
Këndohet kënga e Shpat Kasapit, bëhet viral reagimi i banori...