Pas humbjes me Prishtinën, Arsim Abazi jep dorëheqje nga posti i trajnerit tek FC Ferizaj

21:22 | 28 Shtator 2025
D.H

FC Ferizaj ka njoftuar se trajneri Arsim Abazi ka dhënë dorëheqje pas humbjes së sotme ndaj Prishtinës me rezultat 5-0 në shtëpi.

Lajmi është bërë i ditur përmes një postimi në rrjetin social Facebook të klubit, shkruan Arbresh.info.

Klubi e ka pranuar dorëheqjen ani pse pati mbështetja ndaj tij ishte e palëkundur.

“FC Ferizaj përmes këtij njoftimi dëshiron të informoj publikun se sot pas ndeshjes kundër Prishtinës, kryetrajneri Abazi dhe stafi i trajnerëve kanë ofruar dorëheqjet e tyre.”

“Presidenti i klubit Lulzim Abazi dhe drejtori sportiv, Genc Hyseni, në takimin e mbajtur pas zhvillimeve të fundit, e kanë pranuar vendimin e Arsim Abazit dhe stafit, pavarësisht se mbështetja ndaj tyre ishte e palëkundur.”

“Kësisoj, FC Ferizaj e falenderon kryetrajnerin e deritashëm, Arsim Abazi dhe stafin e tij për kontributin e tyre të çmuar në pankinën tonë.”

“Me të si trajner, FC Ferizaj arriti të inkuadrohet në Superligë dhe ishim pretendent i fuqishëm për të siguruar një vend në kualifikimet për garat evropiane.”

“FC Ferizaj i uron shumë shëndet e suksese trajnerit Abazi, duke theksuar se ai do të mbetet përherë pjesë e rëndësishme e historisë së klubit”, thuhet në njoftimin e klubit.

Arsim Abazi ishte trajner i Ferizajt që nga Liga e Parë, ku edhe ua siguroi klubit inkuadrimin në elitën e futbollit kosovar. Me të në krye skuadra arriti t’i mbijetojë sezonit të parë në Superligë, madje edhe ishte afër Evropës.

Mbetet të shihet ditëve në vazhdim se kush do të jetë pasardhësi i Abazit, në stolin e Ferizajt.

Pas shtatë ndeshjeve, Ferizaj ka gjashtë pikë dhe është i fundit në tabelë./Arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme