Anëtarët e komisioneve parlamentare, nesër mblidhen kryetarët e grupeve

16:37 | 21 Shtator 2025
E.G

Pavarësisht situatës së tensionuar politike në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës, që në nisje të legjislaturës së re, forcat politike do të duhen të ulen sërish për të përfunduar procesin e plotësimit me anëtarë të komisioneve të përhershme parlamentare.

Kryeparlamentari Niko Peleshi ka thirrur të hënën Konferencën ë Kryetarëve për të marrë propozimet e tyre për anëtarët dhe zëvendësuesit e tyre në komisionet e përhershme parlamentare.

Seanca e javës së shkuar, e cila u konsiderua antikushtetuese nga opozita, pasuar me kërkesën për ripërsëritje sikundër me nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit duket se do të ndikojë edhe te vendimmarrja e opozitës për të mos u bërë pjesë e mbledhjes.

Gazment Bardhi, si pjesë e grupit, nuk mund të jetë pranishëm pas penalizimit për të mos qenë pjesë e punimeve të Kuvendit për disa ditë.

Në këto kushte i takon nënkryetarit demokrat të Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, që të depozitojë në Konferencën e Kryetarëve propozimet e demokratëve për të plotësuar vakancat në komisionet e përhershme.

Edhe pse ende nuk ka një vendim të formës së prerë nga PD-ja, burimet i thanë RTSH-së se Partia Demokratike mund të mos i dërgojë propozimet e saj në konferencën e së hënës. Edhe pse opozitarët nuk kanë vendim për të bojkotuar parlamentin, marrëdhënia e tyre e kushtëzuar me këtë institucion është vendosur, sipas tyre, që me ndryshimet e njëanshme të Rregullores, që i hapën rrugë shtimit të komisioneve të përhershme, për të vijuar me seancën e votëbesimit të qeverisë, që PD-ja e konsideroi dhunë ndaj Kushtetutës dhe opozitës.

/rtsh.al/