Në fshatin Llugë sot është përuruar shtatorja e heroit të kombit, Afrim Zhitia, si dhe është inauguruar rinovimi i obeliskut dhe hapësirave përreth.
Ceremonia u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ku morën pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ish-udhëheqësi i UÇK-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, deputetët Saranda Bogujevci, Avni Dehari e Drita Pajaziti, si dhe familjarë të heroit.
Para nisjes së ceremonisë u mbajtë një minutë heshtje në nderim të Zhitisë.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendlindja e Afrim Zhitisë është bërë edhe një herë vend bashkimi për të përuruar një tjetër formë të veprës së tij.
“Shoqëritë më përparimtare të botës kanë sjellë politika të ndryshme të kujtesës për ngjarjet e tyre historike dhe për figurat më të rëndësishme kombëtare. Kështu, vitin e kaluar, më 2 nëntor 2024, u patëm takuar bashkë në akademinë në Prishtinë. Fahri Fazliu dhe Afrimi rezistuan të armatosur deri në vdekje. Sivjet, derisa po i afrohemi dekadës së katërt, jemi bashkuar në fshatin Llugë, në vendlindjen e Afrimit. Sot po i shtohet edhe një skulpturë, një vepër monumentale publike e komemorimit të Afrim Zhitisë, djalit të Llapit dhe heroit të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, u shpreh se shtatorja e Zhitisë është më shumë se një monument, pasi sipas tij, Afrimi nuk ishte vetëm një emër, por një ideal.
“Shtatorja e afrim Zhitisë është më shumë se një monument. Afrimi ishte angazhuar në lëvizjen popullore. Sot kur e përkujtojmë afrimin nuk e kujtojmë vetëm një emër por edhe një ideal. Ai tregosi se liria fitohet me sakrific. Afrimi Zhitia nuk ishte vetëm një luftëtar i liris por edhe një intelektual”, tha ai.
Ai falënderoi gjithashtu edhe skulptorin Alban Blakqori për realizimin e veprës.
Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se me mbështetjen e institucioneve dhe të kryetarit të Llapit po ngrihet shtatorja e Afrim Zhitisë, të cilin e quajti “kryeredaktor dhe lajmëtar të lirisë”.
“Afrim Zhitia ishte prijësi që i dha frymë lëvizjes sonë kombëtare. Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri”, u shpreh Ahmeti.
Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
“Duhet të kujdesemi që kujtesa jonë historike të jetojë”, tha ai./Arbresh.info
Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në lumin e fshatit Graba...
KQZ mban sot mbledhje, ky është rendi i ditës
Nesër ndërpritet furnizimi me ujë në Bregun e Diellit
Lando Norris, kampioni i botës në Formula 1
116 për VV-në, Kurti: Me qytetarët drejt një fitoreje edhe m...
Zelensky sytë kah Evropa pasi bisedimet SHBA-Ukrainë përfund...