Rama dhe kabineti i ri betohen në Presidencë pas miratimit në Kuvend

10:19 | 19 Shtator 2025
E.K

Një ditë pas miratimit në Kuvend të kabinetit të ri qeveritar, kryeministri Edi Rama dhe 16 ministrat janë betuar sot në Presidencë.

Pas betimit, Rama pritet të thërrasë edhe mbledhjen e parë të kabinetit të ri qeveritar.

Javën e kaluar, Presidenti Bajram Begaj dekretoi Edi Ramën si kryeministër për herë të katërt që prej vitit 2013.

Programi i qeverisë dhe anëtarët e Këshillit Ministror u miratuan me 82 vota ditën e djeshme (18 shtator), në një seancë që u shoqërua me tensione të forta. Edhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, e gjitha zgjati vetëm 25 minuta, ndërsa opozita u largua nga salla gjatë kohës së votimit.

Opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës. Kjo bëri që kreu i Kuvendit të kalonte menjëherë për votim programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

Pas seancës, PD mblodhi Grupin Parlamentar, ndërsa Gazment Bardhi tha se u vendos që të kërkohet përsëritja e seancës dhe se po ashtu do të fillojnë procedurat për mocion për shkarkimin e Peleshit si kryetar i Kuvendit.

Përbërja e Qeverisë

Edi Rama, Kryeministër

Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale, “Diella”

Belinda Balluku, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë

Albana Koçiu, Ministër i Punëve të Brendshme

Elisa Spiropali, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme

Petrit Malaj, Ministër i Financave

Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Sofjan Jaupaj, Ministër i Mjedisit

Mirela Kumbaro Furxhi, Ministër i Arsimit

Evis Sala, Ministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Delina Ibrahimaj, Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit

Besfort Lamallari, Ministër i Drejtësisë

Pirro Vengu, Ministër i Mbrojtjes

Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural

Ervin Demo, Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor

Majlinda Dhuka, Ministër Shteti dhe Kryenegociator

Adea Pirdeni, Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin

Toni Gogu, Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin