Mocion mosbesimi kundër Ursula von der Leyen nga 72 eurodeputetë të majtë radikalë

15:38 | 11 Shtator 2025
E.K

Një grup prej 72 eurodeputetësh, të udhëhequr nga Grupi Politik i së Majtës në Parlamentin Evropian, kanë paraqitur një propozim për votë mosbesimi ndaj Komisionit Evropian dhe presidentes së tij, Ursula von der Leyen.

Sipas një njoftimi zyrtar të partisë SYRIZA, eurodeputetët kanë kërkuar dorëheqjen e Kolegjit të Komisionerëve, duke argumentuar se presidentja von der Leyen dhe ekipi i saj kanë miratuar marrëveshje të dëmshme tregtare pa asnjë mandat demokratik, kanë dështuar të reagojnë ndaj shkeljeve të vazhdueshme të së drejtës ndërkombëtare nga qeveria e Izraelit në Rripin e Gazës, dhe kanë treguar mungesë serioze të transparencës dhe llogaridhënies.

Në qendër të kritikave të eurodeputetëve janë vënë marrëveshja BE-SHBA, për të cilën pretendohet se Bashkimi Evropian iu nënshtrua çdo kërkese të Donald Trump, nënshkrimi i marrëveshjes BE-Mercosur, pa mbështetjen dhe pa një mandat demokratik nga qytetarët evropianë dhe dështimi i Komisionit për të përballuar krizat sociale dhe klimatike në përkeqësim, sidomos pas tërheqjes nga objektivat mjedisore nën justifikimin e të ashtuquajturës “agjendë e thjeshtësimit”.

“Fjalimi zhgënjyes për Gjendjen e Bashkimit nuk bëri asgjë për të rregulluar dëmin e madh që Ursula von der Leyen ka shkaktuar në vetëm një vit mandat. Ajo refuzoi të marrë masa kundër gjenocidit në Gazë, imponoi marrëveshje tregtare shkatërrimtare si Mercosur pa mandat demokratik, solli masa shtrënguese dhe vështirësi sociale për shumicën, në shërbim të të paktëve. Braktisi tranzicionin ekologjik për përfitime korporatash. Koha e saj ka përfunduar. Duhet të largohet”, u shpreh në një konferencë shtypi të jashtëzakonshme, bashkëkryetarja e së Majtës, Manon Aubry.

Ndërkohë, bashkëkryetari tjetër i së Majtës, Martin Schirdewan (Die Linke, Gjermani), deklaroi: Nën drejtimin e Ursula von der Leyen, Komisioni ka dështuar në çdo nivel. Dështimet në negociatat BE-SHBA kanë pasur një kosto të madhe për ekonominë evropiane. Von der Leyen shmangu përfaqësuesit e zgjedhur për të shtyrë përpara marrëveshjet Mercosur dhe me Meksikën. Të thuash që e tejkaloi mandatin e saj është një nënvlerësim. Ne do të jemi ata që do ta çojmë atë përpara drejtësisë politike.”

Sipas Nismës së Re të Majtë, diskutimi për mocionin e mosbesimit pritet të zhvillohet brenda disa javësh në Strasburg, megjithatë mundësitë për ta kaluar janë thuajse zero.

Kujtojmë se më herët ka pasur një propozim për mocion edhe nga ekstremi i djathtë, të cilin e Majta Radikale ka refuzuar ta mbështesë. Ndërkohë, Ursula von der Leyen vazhdon të gëzojë mbështetjen e të djathtës, qendrës dhe socialdemokratëve.

Megjithatë, siç theksohet në deklaratën e Nismës së Re të Majtë, qeverisja tepër e centralizuar e Von der Leyen ka sjellë kritika edhe nga aleatët e saj në qendër dhe mes socialdemokratëve, të cilët e akuzojnë për mungesë konsultimesh dhe afrim me të djathtën ekstreme.

Sipas së Majtës së Re, diskutimet mbi mocionin e mosbesimit do të jenë një test real për forcën e shumicës së ashtuquajtur “pro-evropiane”, të cilën Ursula von der Leyen u përpoq ta konsolidojë në fjalimin e saj të fundit për Gjendjen e Bashkimit Evropian, të mbajtur të mërkurën./tar