Tifozët ultras u ndaluan por pa gjobë nuk shpëtuan, FSHF-ja dënohet me 200 mijë dollarë nga FIFA për ndeshjen me Serbinë

17:24 | 4 Shtator 2025
D.H

FIFA ka gjobitur gjashtë federata kombëtare, mes tyre edhe Shqipërinë, si dhe kampionin aktual të botës, Argjentinën, për shkak të abuzimeve raciste nga tifozët gjatë ndeshjeve kualifikuese të Botërorit në qershor.

Në raportin disiplinor të publikuar të enjten, FIFA njoftoi se Shqipëria, Argjentina, Kili, Kolumbia, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina u sanksionuan për “diskriminim dhe abuzim racist”.

Shqipëria mori dënimin më të rëndë një gjobë prej 161,500 frangash zvicerane (200,000 dollarë), si dhe reduktim me 20% të kapacitetit të stadiumit në një ndeshje të ardhshme.

Përveç abuzimeve raciste, tifozët shqiptarë u ndëshkuan edhe për thyerje të tjera, si ndërprerja e himnit kombëtar dhe mesazhe të papërshtatshme në stadium gjatë ndeshjes së 7 qershorit kundër Serbisë.

Argjentina u gjobit me 120,000 franga zvicerane (149,000 dollarë), për incidente raciste në barazimin 1-1 kundër Kolumbisë më 10 qershor në Buenos Aires.

Për më tepër, mesfushori Enzo Fernandez u pezullua dy ndeshje dhe u ndëshkua me një gjobë shtesë prej 5,000 frangash zvicerane (6,200 dollarë) pas një ndërhyrjeje të rrezikshme.

Gjoba të tjera morën Kili me 115,000 franga (143,000 dollarë) për racizëm gjatë humbjes 1-0 me Argjentinën, Kolumbia me 70,000 franga (87,000 dollarë) pas ndeshjes me Perunë.

Pa dënim nuk shpëtoi as Serbia, që iu shqiptua gjoba prej 50,000 franga (62,000 dolarrë), për incidente kundër Andorrës.

Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu pësoi me 21,000 franga (26,000 dollarë), për shkelje në ndeshjen ndaj San Marinos.

FIFA theksoi se shumica e federatave të ndëshkuara duhet të zbatojnë plane parandaluese kundër racizmit në ndeshjet e ardhshme./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale