Haxhiu për ndarjen nga jeta të Qosjes: Ishte hero i mendjes – i përjetshëm qoftë kujtimi i tij

15:08 | 23 Prill 2026
E.K

Kryetarja e Kuvendit, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të akademikut Rexhep Qosja në moshën 89-vjeçare.

Përmes një reagimi publik, Haxhiu është shprehur se bota shqiptare ka humbur një nga personalitetet më të mëdha të mendimit kritik, letërsisë dhe studimeve.

Ajo theksoi se për shumë breza studentësh, lexuesish dhe studiuesish, Qosja ka qenë një shkollë më vete, duke ndikuar në mënyrën se si kuptohet letërsia, historia dhe gjuha si pjesë e identitetit.

“Rexhep Qosja, iku për në amshim, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke na kujtuar se krijuesi nderohet më së shumti me veprën që lë pas. Siç thoshte ai, heronjtë e mendjes i bëjnë ballë kohës më gjatë. Akademik Qosja ishte hero i mendjes, ndaj si i tillë do të jetë udhërrëfyes për brezat. Familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe lexuesve të shumtë u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, ka shkruar Haxhiu.