Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka organizuar sot mbajtjen e testit kualifikues, si fazë e përcaktuar në kuadër të procedurave të rekrutimit dhe emërimit të 21 prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se testi është zhvilluar në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
Në këtë test morën pjesë gjithsej 330 kandidatë.
“Në respektim të parimit të transparencës, llogaridhënies dhe barazisë në qasje, pyetjet e Testit Kualifikues janë hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtarë, me qëllim të garantimit të integritetit dhe besueshmërisë së procesit të rekrutimit”, thuhet në njoftim.
KPK shton se mbajtja dhe administrimi i testit kualifikues është mbikëqyrur personalisht nga kryesuesi i Komisionit, Ardian Hajdaraj, i shoqëruar nga anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.
Procesi është vëzhguar dhe monitoruar gjithashtu edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Pas përfundimit të këtij testi, procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera të parapara, përkatësisht me testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve, “duke u zhvilluar në përputhje me standardet më të avancuara të meritokracisë, profesionalizmit dhe paanësisë, të garantuara me legjislacionin përkatës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e prokurorisë”.
Ambasada e Kosovës në Uashington: SHBA-të riafirmuan mbështe...
Peci kap kacinë dhe u del në ndihmë punëtorëve në Selac, pas...
I dërguari rus niset drejt SHBA-së për bisedime për luftën n...
Rubio: Ne nuk detyrojmë as Rusinë dhe as Ukrainë të bëjnë ma...
KQZ: Sot mbyllet afati për aplikim për akreditim të vëzhgues...
31-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht ekstradohet nga Gjerma...