Arrestohet Myftiu i Madh i Jerusalemit, Izraeli miraton hedhjen e ushqimit nga ajri në Gaza

18:33 | 25 Korrik 2025
Q L

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thonë se do t’u lejojnë vendeve të huaja të hedhin ushqime nga ajri në Gaza, por këmbëngul se nuk ka zi buke në Rrip.

Duke cituar koordinatorin izraelit të aktiviteteve qeveritare në territor, Times of Israel raporton se situata humanitare në Rripin e Gazës “vazhdon të jetë e vështirë dhe sfiduese”, por nuk ka uri të përhapur gjerësisht, në kundërshtim me pretendimet e Hamasit.

Sipas gazetës Times of Israel, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të kryejnë këtë raund të fundit të dërgesave nga ajri, përcjell A2 CNN.

Vitin e kaluar, vende si Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Jordania dërguan furnizime nga ajri në Gaza nga avionë ushtarakë, por kjo shkaktoi probleme si rënia e ndihmave në det dhe mbytja e njerëzve gjatë përpjekjes për t’i rimarrë atë.

Ndërkaq, agjencia palestineze e lajmeve Wafa raporton se forcat izraelite arrestuan sot Myftiun e Madh të Jerusalemit dhe Palestinës, predikuesin e Xhamisë Al-Aksa, Sheikh Mohammad Hussein, brenda oborrit të xhamisë në Jerusalemin e pushtuar. Departamenti i Fondacioneve Islame njoftoi se Sheikh Mohammad Hussein u arrestua pas namazit të xhumasë dhe u dërgua në Portën Mughrabi të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, shkruan A2 CNN.

Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli, së bashku me aleatët e tij amerikanë, “po vlerëson aktualisht opsionet alternative” për të siguruar kthimin e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe për të eliminuar Hamasin në Rrip. Kryeministri theksoi se Hamasi përfaqëson “një pengesë për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve”, duke deklaruar se i dërguari i SHBA-së Steve Witkoff “ka të drejtë”.