Dy zyrtarë të lartë policorë dyshohen për keqpërdorim detyre, IPK rekomandon suspendimin

13:17 | 20 Qershor 2025
E.K

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të dy zyrtarëve policorë në Pejë – një nënkolonel dhe një kapiten – për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas IPK-së, rasti lidhet me një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë, ku disa zyrtarë policorë ishin njoftuar për një aksident trafiku.

Gjatë intervenimit, ata kishin shoqëruar në stacionin policor një person që nuk kishte qenë i përfshirë në aksident, por që kishte penguar punën e policisë.

Nënkoloneli dhe kapiteni dyshohet se kanë ndërhyrë në procedurën standarde të trajtimit të rastit duke mos e përcjellë atë për hetim të mëtejshëm dhe pa e njoftuar Prokurorinë, siç kërkohet me rregull. Në vend të kësaj, të dyshuarit i është shqiptuar vetëm një gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se kanë ndërhyrë në këtë rast (shoqërimin e të dyshuarit në stacion) duke mos përcjellë rastin për hetim dhe nuk është njoftuar Prokuroria për rast (në kundërshtim me procedurat standarde të veprimit të policisë në raste të tilla), duke i shqiptuar të dyshuarit një tiketë për kundërvajtje për prishje të rendit dhe qetësisë publike. Hetuesit e IPK-së në interes të hetimit kanë rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë (nënkolonelit dhe kapitenit policor) përderisa pritet që në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë të ndërmerren edhe veprime tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast’, thuhet në njoftim./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale