Arrestohet personi i 19 në Prizren lidhur me aksionin kundër degradimit të mjedisit

14:44 | 18 Qershor 2025
E.K

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore, ka arrestuar personin e 19 në kuadër të aksionit kundër degradimit të mjedisit.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari ishte i paidentifikuar gjatë aksionit të zhvilluar më 4 qershor 2025, por pas analizimit të provave është identifikuar dhe arrestuar.

Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe mjetet e përdorura në veprën penale: një kamion dhe një eskavator.

“Për të njëjtin, Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore ka siguruar prova lidhur me degradimin e mjedisit, mirëpo me rastin e ndërmarrjes së aksionit me datë 04.06.2025 i njëjti ka qenë i paidentifikuar për policinë. Ndërkohë, pas analizimit të provave dhe mjeteve të kryerjes së veprave penale, i njëjti është identifikuar dhe është arrestuar, si dhe janë sekuestruar mjetet e kryerjes së veprës penale, një (1) kamion dhe një (1) eskavator”, thuhet në njoftim.

I pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.

“I pandehuri i arrestuar, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit ”Drini i Bardhë”, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe ka shfrytëzuar jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, nga veprimet e lartcekura është shkatërruar rrjedha e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura në vende ku mund të lëvizin shumë njerëz, me ç’rast është shkaktuar rrezik i madh për jetën dhe trupin e tyre.

Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 i Kodit Penal.

“I pandehuri i arrestuar, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtin, Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë. Arrestimi i personit të sipërpërmendur paraqet vazhdimësi të aksionit të datës 04.06.2025, i udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit ishin arrestuar tetëmbëdhjetë (18) persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme që çojnë në ndotjen dhe degradimin e mjedisit”, thuhet në njoftim./Arbresh.info