Ç’po ndodh në Vlorë, MABCO: Nuk do e pranojmë grabitjen e aeroportit!

15:57 | 18 Maj 2026
E.G

Përplasja për kontrollin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës ka hyrë në një fazë të rrezikshme tensioni, ndërsa kompania zvicerane MABCO Constructions SA e Behgjet Pacollit, investitori kryesor i projektit me 98% të aksioneve në shoqërinë koncesionare VIA, akuzon aksionerin minoritar 2A Group të Valon Ademit se po tenton të marrë me forcë kontrollin operacional të aeroportit.

Në një reagim të ashpër publik, MABCO  thotë se punonjësit dhe specialistët e saj të huaj janë bllokuar fizikisht në hyrje të kantierit nga roje private, në atë që kompania e konsideron një “tentativë shpronësimi de facto” dhe një përpjekje për të realizuar në terren atë që, sipas saj, Valon Ademi nuk ka arritur të fitojë në gjykatë.

NJOFTIMI I MABCO

MABCO Constructions SA, shoqëria zvicerane që zotëron 98% të kuotave të Vlora International Airport – VIA sh.p.k.,është përballur sot përsëri me një situatë të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme, ndersa punonjësit e saj dhe ekipet e specialistëve të huaj kanë provuar të hynë në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Duke ushtruar dhunë dhe forcë nëpërmjet rojeve private, aksioneri me 2 përqind, 2A Group, KA NDALUAR HYRJEN NË KANTIER TË TË GJITHË STAFIT MABCO praktikisht DUKE MARRË PENG një investim strategjik siç është aeroporti i Vlorës. Mabco paralajmëron autoritet shtetërore dhe ato të drejtësisë se kjo është një tentativë e pastër për të realizuar në rrugë operative atë që Valon Ademi dhe 2A Group NUK kanë arritur ta realizojnë në rrugë ligjore.

Situata në terren është në çdo moment e tensionuar dhe mund të përshkallëzohet më tej nëse insitucionet ligjzbatuese nuk ndërhyjnë. Shoqëria zviceriane MABCO nuk mund të pranojë të grabitet ditën për diell, me forcën e dhunës, nga disa individë që përdorin lidhje të caktuara politike. I bëjmë thirrje policisë se shtetit dhe prokurorisë të ndërhyjnë në zbatim të ligjit sa nuk është vonë.

Kjo tentativë për shpronësim de facto të MABCO-s, bëhet pikërisht tani, kur vlera kryesore e investimit është krijuar. Terminali dhe ndërtesat shoqëruese janë ndërtuar, dokumentacioni teknik është përgatitur në masë të madhe, kontratat dhe nënkontratat janë organizuar, furnizimet janë kryer dhe infrastruktura kryesore e nevojshme për fazën finale është vendosur.

Përdorimi i forcës për të penguar aksesin e aksionerit me 98 përqind në investimi e tij, përbën një akt të ri në një zinxhir veprimesh që synojnë të krijojnë fakt të kryer në kantier, të largojnë investitorin kryesor nga projekti dhe të marrin kontrollin praktik mbi punimet, dokumentacionin, sistemet, pajisjet dhe vlerën ekonomike të investimit.

Sipas MABCO-s, pasi puna kryesore është bërë, pasuria është krijuar dhe projekti ka hyrë në fazën përfundimtare, tani tentohet që MABCO të largohet fizikisht nga kantieri.

Në pritje të reagimit institucional, MABCO kërkon që aksesi i saj në kantier të garantohet menjëherë, duke respektuar rregullat objektive të sigurisë dhe HSE-së, por pa asnjë kufizim arbitrar, selektiv apo të bazuar në akte të kontestuara.

Për MABCO-n, mesazhi është i qartë: Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës nuk mund të merret në dorë me forcë dhe bllokim fizik të investitorit kryesor në portën e kantierit.

Projekti duhet të përfundojë, por jo duke përjashtuar investitorin që e bëri të mundur koncesionin, financimin dhe realizimin e tij.