Specialja vendos afat të ri për përgjigjen e Prokurorisë ndaj mocionit të mbrojtjes

23:01 | 7 Qershor 2025
E.G

Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka marrë vendim të ri për afatin kohor për përgjigjen e Prokurorisë në mocionin e mbrojtjes.

Trupi gjykues më 5 qershor 2025 ka lëshuar një urdhër lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë proces gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dhomat e Specializuara kanë vendosur që lidhur me pranimin e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, data 12 qershor të jetë dita kur ekipet e mbrojtjes mund të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me Rregullën 130.

Në anën tjetër, ZPS-ja fillimisht urdhërohej të dorëzojë përgjigjen në mocionin e mbrojtjes deri më 14 korrik. Por, që me vendimn e fundit ky afat shkurtohet në 7 korrik.

Sipas DhSK-së, trupi gjykues synon të nxjerrë vendimin lidhur me mocionin e mbrojtjes sipas Rregullës 130, në javën e dytë të korrikut (nga e hëna e 14 korrikut).

Në rast se refuzohet mocioni i mbrojtjes tërësisht ose pjesërisht, mbrojtësi i viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tyre më 16 korrik, ndërsa ekipet e mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik.

Konferenca përgatitore pritet të mbahet më 21 korrik.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Shpërndaje në rrjete sociale