Trepça ka arritur të reagojë pas humbjes në ndeshjen e parë të finales së “Play-off” në Superligën e Kosovës në basketboll, duke triumfuar ndaj Bashkimit dhe duke barazuar serinë finale në 1:1.
Ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma ka qenë e balancuar dhe dramatike deri në fund, por “Xehetarët” kanë arritur t’i kontrollojnë momentet vendimtare të sfidës, duke fituar me rezultat të ngushtë.
Trepça e ka nisur ndeshjen më mirë, duke krijuar epërsi prej shtatë pikësh, por Bashkimi është përgjigjur dhe pas çerekut të parë rezultati ka qenë i barabartë 20:20. Edhe periudha e tretë ka përfunduar në barazim, 17:17, dhe pas tridhjetë minutash lojë shifrat kanë qenë 58:58.
Vendimtare është treguar pjesa e fundit e ndeshjes, ku mitrovicasit janë shkëputur në 69:64. Prizrenasit janë afruar deri në 73:71 dy minuta para fundit, por nuk kanë arritur ta përmbysin. Trepça e ka ruajtur qetësinë dhe e ka rikthyer epërsinë prej shtatë pikësh në fund, diferenca më e madhe e ndeshjes.
Më të mirët në radhët e Trepçës kanë qenë Tekele Cotton me 22 pikë dhe tetë asistime, Michael Myers me 22 pikë e nëntë kërcime, si dhe Drilon Hajrizi me 15 pikë e shtatë kërcime.
Në anën tjetër, për prizrenasit janë dalluar Lejson Zeqiri dhe Dirk Williams me nga 16 pikë, ndërsa Jayveous McKinnis shtoi 12 pikë dhe 10 kërcime.
Finalja e tretë do të zhvillohet të dielën në Prizren, ndërsa skuadra që arrin katër fitore shpallet kampione e Kosovës./RTK
Publikohet orari i Kupës së Botës, nis më 11 qershor
Forcat izraelite vrasin 6 terroristë, arrestohen dhjetëra të...
OEK i reagon Rizvanollit, do të iniciohet procedurë ligjore...
Haradinaj nominohet për kryeministër: Aleanca në zgjedhje ni...
Këshilltari i komandantit të KFOR-it takon kryetarët e zgjed...
Osmani bisedon me Guerot për marrjen e detyrave nga kryetarë...