Mungesa e përkufizimit të qartë të shkeljeve disiplinore nga gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe paqartësia në masat ndëshkuese, po shihet si një nga mangësitë kryesore të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ekspertët kritikojnë se projektligjet aktuale nuk përcaktojnë saktësisht dallimin mes shkeljeve të lehta dhe të rënda, duke krijuar hapësirë për vendime joproporcionale.
Përkufizimi i shkeljeve disiplinore dhe sanksionimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve ka shumë paqartësi.
Vetëm përgjatë vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pasur gjashtë kërkesa për inicim të procedurave disiplinore ndaj prokurorëve në nivel të Kosovës për vitin 2024. KPK në përgjigjen për televizionin ka dhënë detaje rreth sanksionimit të këtyre rasteve.
Dy prej tyre Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka hedhur poshtë, për shkak se kërkesat janë pranuar pasi që prokurori, ndaj të cilit është iniciuar procedura disiplinore, ka dhënë dorëheqje. Për dy raste disiplinore janë shqiptuar dy sanksione disiplinore të njëjta “Vërejtje publike me shkrim”.
Për një rast disiplinor është shqiptuar sanksioni disiplinor “Zvogëlim i përkohshëm i pagës 30% për një periudhë kohore gjashtëmujore, ndërsa për një rast tjetër disiplinor është shqiptuar sanksioni disiplinor “Zvogëlim i përkohshëm i pagës 20% për një periudhë kohore tre muaj”, por i njëjti rast është bartur prej vitit 2024 në vitin 2025.
Nga katër rastet e lartpërmendura, sanksione disiplinore i janë shqiptuar tre prokurorëve.
Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se as projektligji aktual dhe as projektligji që është tentuar të ndryshohet, nuk e kanë adresuar qartë çështjen e përkufizimit të shkeljeve të lehta dhe të rënda që kryejnë gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës.
“Ky projektligj i ka të listuara shkeljet, por nuk i ka të përcaktuara qartë dënimet për shkeljet e lehta dhe ato të rënda. Kjo ka lejuar këshillat që për çfarëdo shkelje të aplikojnë masa ndoshta jo proporcionale, si për shembull ulje page për 6 muaj. As projektligji aktual, e as ai i ri nuk i kanë definuar saktësisht shkeljet e lehta dhe ato të rënda që kryejnë gjyqtarët dhe prokurorët gjatë ushtrimit të detyrës. Po ashtu, nuk janë të qarta as llojet e sanksioneve”, tha Bugaqku.
Në përgjigjen e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për televizionin, kanë thënë se për vitin 2024 dhe deri më tani, Këshilli ka themeluar njëmbëdhjetë panele hetimore dhe nga këto panele ka pranuar dhjetë raporte me shkrim mbi faktet dhe provat e mbledhura.
Një panel hetimor ende nuk e ka dorëzuar raportin me shkrim mbi faktet dhe provat e mbledhura, sepse është në fazë të hetimit.
Gjatë këtij viti, Këshilli ka mbajtur katërmbëdhjetë seanca dëgjimore. Pas shqyrtimit të këtyre raporteve, Këshilli ka nxjerrë dhjetë vendime dhe ato janë:
Një vendim – Zvogëlim i përkohshëm i pagës në lartësi prej 30% për periudhën kohore për gjashtë muaj;
Dy vendime – Vërejtje jo publike me shkrim;
Dy vendime – Vërejtje publike me shkrim;
Pesë vendime – Lirim nga përgjegjësia disiplinore.
Ish-sekretari i Ministrisë së Drejtësisë, Ardian Bajraktari, thotë se ministria, në kuadër të pakos ligjore, ka nisur përmirësimin e legjislacionit.
“Mirëpo, ka disa rekomandime sa i përket çështjes së masës disiplinore në përpjesëtim me shkeljen. Duhet të besohet se qeveria e ardhshme do të punojë ngushtë me KPK-në dhe organizatat përkatëse në drejtim të implementimit të këtyre rekomandimeve të Komisionit të Venecias, që së bashku me këtë ligj dhe pakon tjetër të ligjeve, gradualisht të çojë drejt përmbylljes së një pakoje të domosdoshme”, tha Bajraktari.
Me zbatimin e reformës në drejtësi, rekomandimet për këtë çështje pritet t’i përcaktojnë llojet e shkeljeve dhe të sanksionimit të gjyqtarëve dhe të prokurorëve.
Policia e Shtetit të angazhuara maksimalisht për ndeshjen Sh...
Trendafilova: Gjykata po administron drejtësi në mënyrë të d...
Policia shqiptare e largon një flamur të UÇK-së nga tribunat...
Vogëlushët shqiptarë në krah të lojtarëve serbë bëjnë me dua...
Izraeli vazhdoi me sulmet në Gaza, vriten 66 palestinezë në ...
Prokuroria e Speciales kritikohet për zvarritje dhe shkelje ...