Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgimi për katër “pelegrinët” serbë

10:18 | 7 Prill 2025
Gita

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim për katër serbët e arrestuar të shtunën në Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se ndaj të pandehurve me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesë, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh”, bën të ditur prokuroria, raporton Arbresh.info.

Prokuroria bën të ditur se gjatë kontrollimit në veturën e katër të arrestuarve janë gjetur armë të ftohta, përfshirë një sopatë dhe një thikë sharrë.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datë 05.04.2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët Nr. 05/L-022, neni 2 pika 1.24, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sopatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një thikë sharrë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndalimi i tyre është bërë, pasi vetura në të cilën gjendeshin të dyshuarit, kishte tejkaluar shpejtësinë.

“Pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë dhe pasi ngasësi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e prokurorisë.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë formohet dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., kanë kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së./Arbresh.info/

LEXO EDHE 

Zyra e Petkoviqit: Prishtina ka nisur një valë arrestimi të pelegrinëve

Drejtori i Policisë në Gjakovë reagon pas arrestimit të katër pelegrinëve serbë: Edhe kësaj radhe triumfuam