Shqipëria garanton qytetarët për ushqime të sigurta

17:01 | 7 Prill 2015
M. A.

Ministria e Bujqësisë dhe institucionet në varësi të saj garantojnë qytetarët shqiptarë për sigurinë ushqimore në vend. Sipas drejtorit të Autoriteti Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj, janë shtuar kontrollet e inspektorëve dhe është vënë në dispozicion një numër i gjelbër për qytetarët të cilët mund të bëjnë denoncimet në rast të konstatimit të ushqimeve të skaduara.

“Unë dua të siguroj të gjithë konsumatorët në këtë ditë, për sa i përket produkteve ushqimore që tregtohen sot në të gjitha supermarketet, dyqanet, apo që importohen nga jashtë se janë ushqime të garantuara të cilat kontrollohen nga AKU, në të gjithë territorin shqiptar në të gjitha pikat kufitare të Shqipërisë, por dhe në magazinat dyqanet; supermarketet unë i sugjeroj të gjithë konsumatorët shqiptarë të mos blejnë në rrugë apo dyqane të palicencuara nga AKU sepse janë produkte të pacertifikuara nga ne,” tha drejtori Bakaj.
Por ndryshe nga sa ndodh me ushqimin, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ujin e pijshëm, ku pothuajse të gjitha familjet jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe e blejnë ujin, pasi kanë frikë ta përdorin ujin e rubinetit, për shkak të papastërtive që vijnë nga amortizimi i rrjetit apo klorifikimit të tepërt.
Këtë problem e pranon edhe kryetari i Shoqatës së Konsumatorit Islam Cani i cili thotë se vitin e kaluar erdhën 800 ankesa për ujin vetëm, në muajt e parë, ndërkohë që sivjet ka rënë diku te 280 ankesa.
Megjithatë, Cani thotë se uji i çezmës nuk është i papërdorshëm por se në këtë përhapje paniku kanë gisht edhe kompanitë private që duan të tregtojnë ujin.
“Për shembull vitin e kaluar ne kishim për kaq muaj sa jemi sot, kishim 800 ankesa, këtë vit ne kemi 280 ankesa për ushqimin dhe që janë më shumë në sistemin e mungesës së higjienës. Kemi më shumë për ujin pastaj, që nuk pihet uji i qytetit, më shumë blihet në treg vetëm përdoret për përdorime të ndryshme. Klorifikimi është më shumë problemi, mund ta quaj një propagandë tregtare jo të mirë ose një konkurrencë jo e ndershme duke shpifur që uji i çezmës të mos përdoret. Ne nuk e kemi nën kontroll 100 përqind ujin e pijshëm; por kemi qenë te 40-45 përqind , dhe jemi te 70-80 përqind që e kemi nën kontroll, kjo është gjë e mirë dhe unë iu them qytetarëve që ta përdorin pa merak edhe për ta pirë,” ka thënë Cani./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale