Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka qëndruar sot në Mejë me rastin e 27-vjetorit të Masakrës së Mejës, ku më 27 prill 1999 forcat serbe vranë dhe masakruan 376 civilë shqiptarë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka rikujtuar ngjarjet tragjike të asaj dite, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga masakrat më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë. Sipas tij, viktimat ishin qytetarë të pafajshëm, burra dhe gra të të dy besimeve fetare, të cilët u ekzekutuan mizorisht.
Ai ka shtuar se një pjesë e të vrarëve vazhdojnë të mbeten ende të pagjetur, duke theksuar se plagët e luftës nuk mund të mbyllen pa zbardhjen e fatit të tyre.
“Sot, kur Kosova shënon Ditën e të Pagjeturve, nderuam kujtimin për martirët e masakrës së Mejës dhe për dëshmorët e martirët e Skivjanit dhe dëshmorët e Prejlepit”, ka shkruar Haradinaj, duke përkujtuar edhe bashkëluftëtarë dhe të rënë në beteja të ndryshme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dukagjin.
Në mesazhin e tij, ai ka theksuar se liria e Kosovës është rezultat i sakrificës së të rënëve, luftës së UÇK-së dhe mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë NATO-n e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Mirënjohës ndaj sakrificës së të gjithë të rënëve për liri! Pushofshin të qetë në tokën e Kosovës!”, ka përfunduar Haradinaj.
Enrique para sfidës me Bayern: Asnjë skuadër nuk është më e ...
Lushaku-Sadriu reagon pas seancës: Asnjë qëndrim për propozi...
Musliu-Shoshi ia kujton Konjufcës gazin lotsjellës në Kuvend...
Qeveria mban mbledhje, mori tri vendime
Përfshihet nga zjarri një banesë në Elbasan
Përfundon seanca e thirrur për të diskutuar rreth presidenti...