Mbi 1 milion euro për Komitetin Olimpik të Kosovës

12:40 | 27 Prill 2026
E.G

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, të hënën ka nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Sipas të parit të sportit kosovar, marrëveshja është nënshkruar me kryetarin e Komiteti Olimpik i Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe parasheh mbështetje financiare prej mbi 1 milion euro për programet dhe aktivitetet sportive gjatë vitit 2026.

“Me Kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, zotëri Ismet Krasniqi, sapo nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për mbeshtetjen për vitin 2026. Sporti është prioritet strategjik për shtetin tonë, si në zhvillimin e sportit e rinisë, ashtu edhe në përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës. Ky memorandum siguron mbi 1 milion euro mbështetje për programet dhe aktivitetet sportive”, ka shkruar ministri Gashani.

Ky angazhim sipas tij, vjen në një moment të rëndësishëm, me pjesëmarrjen e Kosovës në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 dhe përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

“Përmes këtij investimi synojmë rritjen e performancës sportive, forcimin institucional dhe avancimin e rolit të sportit në zhvillimin shoqëror dhe ndërkombëtar të vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë partner i qëndrueshëm i sportit dhe mbështetës i çdo suksesi që e përfaqëson Kosovën me dinjitet”, ka shkruar me tej ministri Gashani./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale