Sot katër vjet Vjosa Osmani u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës.
Për këto katër vjet në krye të Presidencës, njohësit e politikës vlerësojnë se Vjosa Osmani u përball me sfida të ndryshme, disa i tejkaloi me sukses, e në disa ngeci.
Njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra thotë se presidentja Osmani në politikën e jashtme ka bërë një përfaqësim dinjitoz, por ka dështuar në politikën e brendshme.
“Në politikën e jashtme ajo ka bërë një përfaqësim dinjetoz të Kosovës. Dhe po ashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në politikën e brendshme ka dështuar të reagojë në raste të veçanta kur është dashur një prononcim dhe një qëndrim i saj për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me qytetarët”, thekson Shkodra.
Ajo përmend edhe mos dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, pozitë kjo që ka mbetur me ushtrues detyre tash e tre vjet
“Sa i përket çështjeve të brendshme mund të them se një prej fiaskove të saj është çështja e Kryeprokuror, të cilin ajo nuk e dekretoi, përkundër faktit se Këshilli Prokurorial i Kosovë (KPK) e kishte rekomanduar”, shprehet Shkodra.
Nga ana tjetër, analistja Afërdita Maliqi kritikon punën e Osmanit, duke theksuar se ajo nuk ka pasur qëndrim në çështje të rëndësishme dhe se më shumë e ka luajtur rolin e noteres së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
“Osmani ka ardh në pushtet si pjesë e një marrëveshje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosej, dhe pothuajse i ka qëndru besnike asaj marrëveshje, duke e luajt një rol protokollar në detyrën e saj dhe duke mos pas qëndrim në çështje të rëndësishme. Duke qenë se shpesh e ka bërë rolin e noteres së Kurtit, kjo ka ndiku që në një moment të mos përfillet edhe nga njerëzit më të afërt të saj që i ka pas në parti si Donika Gërvalla, e cila në fund e shpërfilli në çështjen e Asociacionit”, thotë Maliqi.
Sipas saj në këto katër vjet nuk është parë një rol, se çfarë asaj i takon me ligj dhe Kushtetutë.
Maliqi shton faktin se Osmani nuk ka pasur një qëndrim as ndaj procesit në Hagë.
“Shto këtu se ajo nuk ka pas një qëndrim as ndaj procesit në Hagë dhe në përvjetorët e rëndësishëm të Shtetit, kur Hashim Thaçi ka qene protagonist, ajo as nuk e ka përmendur emrin e tij, duke treguar edhe njëherë se nuk ka dal jashtë petkut partiak”, thekson analistja.
Çështja e Kryeprokurorit
Më 17 tetor të vitit 2023, Osmani përmes një konference për media kishte njoftuar se nuk do ta dekretonte Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Osmani kishte renditur disa shkelje ligjore, që ishin gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.
Presidentja kishte thënë se i kishte kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.
Për çfarë ka reaguar presidentja Osmani së fundmi
Presidentja Vjosa Osmani ka dalë kundër propozimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar propozimin si në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRrE’në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit.
Osmani ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezulloj tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane.
Sipas Osmanit ky është një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë, përcjell Arbresh.info.
“Sot, zyrtarisht kërkova nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fortë me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”, kishte shkruar Osmani në “X”.
Me 71 vota për, kuvendi më 4 prill, zgjodhi Vjosa Osmanin në postin e presidentes së Kosovës me mandat pesëvjeçar.
Osmani fitoi në raundin e tretë të votimit, ku morën pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.
Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani para deputetëve ishte shprehur se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.
“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet”, ishte shprehur Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.
Osmani, e cila është gruaja e dytë që mban postin e presidentit, pas Atifete Jahjagës, tha se zgjedhja e saj në krye të shtetit jep edhe mesazhin për vajzat e vogla, se ato mund të arrijnë aty ku ato dëshirojnë.
“Sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua, për të cilat vajzat e vogla që mund të jenë duke na shikuar në këto momente, shpresoj përherë ta mbani këtë që po e them tani: vajzat e kanë vendin vetëm aty ku vetë dëshirojnë, aty ku çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë fort e me zell”, kishte thënë ajo.
Vjosa Osmani është presidentja e pestë e shtetit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
Mandati pesëvjeçar i presidentes Vjosa Osmani përfundon më 7 prill të vitit 2026./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...
A ka ende mundësi për një bashkëpunim PDK-Nisma – Gruda jep ...
Sot mbahen seancat inauguruese në katër komunat veriore të K...
Moti sot kryesisht i vranët, herë pas here priten edhe reshj...
Shtëpia e Bardhë u dërgon paralajmërim të madh tifozëve që p...