BQK përmbylli “Javën Ndërkombëtare të Parasë 2025”

16:15 | 25 Mars 2025
E.G

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të organizimit të aktiviteteve përmes Edukimit Financiar ka për synim që të kontribuojë në përmirësimin e njohurive për çështjet ekonomike e ato financiare, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë, për konsumatorët individualë e deri te ndërmarrësit.

Sipas njoftimit, Java Ndërkombëtare e Parasë (JNP) është iniciativë globale, e udhëhequr nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), dhe bashkon 176 vende të botës për të rritur ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e Edukimit Financiar, të cilën BQK-ja e shënon në vazhdimësi, shkruan Arbresh.info.

Për vitin 2025, java u mbajt nga 17 deri më 21 mars 2025 dhe kishte moton “Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër”.

JNP 2025 u hap me ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të arsimit fillor dhe të mesëm – 5 për videot dhe 20 për punimet artistike më të mira – të cilat kishin për temë fushën e Edukimit Financiar, bazuar në ftesën publike të hapur në muajin shkurt 2025, në të cilën kanë aplikuar gjithsej 119 nxënës nga shkolla të ndryshme të vendit.

Guvernatori i BQK-së, z. Ahmet Ismaili me rastin e ndarjes së këtyre çmimeve i përgëzoi nxënësit për punën e bërë në videot dhe punimet e tyre artistike, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë me angazhimin për rëndësinë e edukimit financiar. Gjithashtu, ka falënderuar prindërit dhe mësimdhënësit për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre.

Në kuadër të kësaj jave, me qëllim të promovimit të hulumtimeve shkencore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin për “Çmimin për Ekonomistin e Ri”. Përmes këtij konkursi, BQK fton të gjithë hulumtuesit e rinj të aplikojnë me punimet e tyre shkencore për të garuar për këtë çmim prestigjioz.

Këtë vit studentët kanë mundësi që t’i përgatitin punimet e tyre kërkimore bazuar në këto tema:

– Roli i inteligjencës artificiale në sektorin financiar në Kosovë – Ndikimi i saj në avancimin e shërbimeve financiare dhe menaxhimin e rreziqeve;

– Rreziqet e reja të mashtrimeve financiare dhe aspektet ndërkombëtare të parandalimit të pastrimit të parave (AML);

– Tranzicioni drejt një ekonomie të gjelbër: Roli i Bankës Qendrore në financimin e qëndrueshëm dhe aplikimi i CSR dhe ESG për sektorin financiar;

– Evolucioni i tregjeve financiare: Implikime në produktivitet, stabilitet financiar dhe flukse të kapitalit;

– Ndikimi i remitancave në ekonominë e Kosovës: Mundësitë e orientimit të tyre në sektor me produktivitet; dhe

– Mbrojtja e konsumatorëve kundrejt mashtrimeve në financat digjitale: Sfidat dhe zgjidhjet në kontekstin e sigurisë online.

Konkursi do të jetë i hapur nga 17 mars 2025 deri më 1 tetor 2025, dhe të drejtë aplikimi kanë studentët e niveli Bachelor, Master dhe Doktoratë.

BQK-ja në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës organizoi një fushatë sensibilizuese me mesazhin “Mendo para se të klikosh, për një siguri financiare nesër”. Fushata është shpërndarë në rrjetet sociale, platforma të mesazheve dhe kanalet e komunikimit të të gjitha bankave komerciale në Kosovë, duke synuar rritjen e vetëdijes mbi sigurinë financiare dhe parandalimin e mashtrimeve online.

Guvernatori Ismaili këtë radhë mbajti një ligjëratë me titull “BQK-ja dhe roli i saj në sistemin financiar të Republikës së Kosovës” në Kolegjin UBT, ku para studentëve ka ndarë njohuritë mbi funksionet kryesore të BQK-së, funksionimin e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe zhvillimin e sektorit financiar të vendit tonë në veçanti.

Aktivitetet kanë vazhduar në shkollën ekonomike-juridike “Hoxhë Kadri Prishtina”, ku është organizuar një debat interaktiv me pjesëmarrjen e 100 nxënësve, me temën “Për apo kundër digjitalizimit të plotë të produkteve dhe shërbimeve bankare – shoqëri me apo pa para të gatshme?”. Debati solli argumente mbi përparësitë dhe sfidat e një ekonomie tërësisht digjitale, si dhe rolin e parasë së gatshme në tregun financiar.

Në ambientet e BQK-së u organizua një sesion edukativ për nxënësit e klasave VI-IX, duke diskutuar mbi rëndësinë e menaxhimit të parasë që nga mosha e hershme dhe parimet bazë të edukimit financiar.

Java u përmbyll me konferencën e lansimit të projektit “WE Finance Code”, një nismë e BQK-së me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, e cila ka për qëllim mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse.

Konferenca e cila mblodhi mbi 110 pjesëmarrës, u hap me fjalim hyrës nga Guvernatori Ismaili, ndërsa punimet e kësaj konference i nderoi dhe mbështeti me pjesëmarrjen e saj shkëlqesia e saj Presidentja e Republikës znj. Vjosa Osmani Sadriu, me një fjalë përshëndetëse.

Gjatë kësaj ngjarjeje, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për të shkëmbyer të dhënat mbi bizneset, veçanërisht ato që janë në pronësi ose bashkëpronësi të grave, si dhe janë nënshkruar solemnisht Letrat e Qëllimit nga institucionet që do të mbështesin me aktivitete konkrete këtë nismë, për një gjithpërfshirje dhe ndikim sa më domethënës në financa dhe ekonomi.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar në promovimin e Edukimit Financiar, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi sigurinë financiare dhe fuqizimin e qytetarëve për të marrë vendime të informuara mbi financat e tyre. Përmes fushatave ndërgjegjësuese, projekteve inovative dhe bashkëpunimeve me institucionet vendore e ndërkombëtare, BQK synon të ketë një ndikim të qëndrueshëm në ngritjen e vetëdijes mbi njohuritë financiare të vendit tonë./Arbresh.info/ K

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme