Në vetëm dy muajt e parë të vitit 2025, Administrata Tatimore e Kosovës ka intensifikuar kontrollet për t’u siguruar që bizneset të respektojnë rregullat fiskale.
Deri më 12 mars të këtij viti, ATK ka realizuar 61 vizita në biznese, duke shqiptuar 22 gjoba në total, që arrijnë vlerën 4,950 euro, për mos instalim të arkave fiskale.
Ndërkohë, kontrolli nuk ka mbetur vetëm me kaq. Për të gjithë vitin 2024, janë realizuar gjithsej 3,221 vizita për mos lëshim të kuponëve fiskal, ku janë shqiptuar 7,617 gjoba me një vlerë prej 2.6 milion euro. Gjithashtu, për pajisjen me arkë fiskale, gjatë vitit të kaluar janë kryer 691 vizita, duke rezultuar me 439 gjoba që kapin shumën 113,375 euro.
Kështu ka bërë të ditur për mediumin Arbresh.info Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).
Nga ky institucion kanë bërë të ditur për mediumin Arbresh.info se të gjitha bizneset janë të detyruara, sipas ligjit, të pajisen me arka fiskale dhe t’i përdorin ato për regjistrimin e shitjeve.
“Të gjitha bizneset janë të detyruara me ligj të pajisen me arka fiskale dhe t’i përdorin ato për regjistrimin e shitjeve. ATK bën kontrolle të rregullta në terren për të siguruar që bizneset po i përdorin arkat fiskale siç duhet. Çdoherë bizneset që nuk zbatojnë këtë detyrim përballen me gjoba dhe masa ndëshkuese. ATK vazhdimisht ka organizuar fushata sensibilizuese për rëndësinë dhe përfitimet e përdorimit të arkave fiskale”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.
Lidhur më këtë ekonomisti Ismet Mulaj vlerëson se shumë biznese operojnë në mënyrë të paformalizuar, duke shmangur detyrimet tatimore dhe duke e vështirësuar kontrollin e administratës tatimore.
Sipas tij, një ndër faktorët ndër faktorët kryesorë që ndikon në këtë situatë është mungesa e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes dhe mungesa e vullnetit politik për të imponuar fiskalizimin në të gjithë vendin.
Në një intervistë për Arbresh.info, ai e cilëson këtë situatë si një kërcënim për buxhetin e shtetit, duke vënë në dukje se mungesa e fiskalizimit zvogëlon të ardhurat nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale.
“Mungesa e fiskalizimit dëmton drejtpërdrejt buxhetin e shtetit duke reduktuar të ardhurat nga TVSH-ja, tatimi mbi fitimin dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Sa më pak të ardhura të mbledhë shteti, aq më pak fonde janë të disponueshme për projekte publike, si: Investimet në infrastrukturë (rrugë, ujësjellës, energji elektrike, etj.). Financimi i arsimit dhe shëndetësisë. Përkrahja për bizneset e reja dhe programet e zhvillimit ekonomik. Përveç kësaj, shteti detyrohet të mbështetet më shumë në ndihmat ndërkombëtare ose të rrisë borxhin publik për të kompensuar humbjet nga evazioni fiskal”, thotë ai.
Mulaj, gjithashtu thekson se mos përdorimi i arkave fiskale dëmton jo vetëm buxhetin e shtetit, por edhe konsumatorët dhe konkurrencën në treg.
Ai nënvizon se bizneset që shmangin tatimet mund të ofrojnë produkte më të lira, por kjo sjell pasiguri dhe pabarazi në treg, duke dëmtuar konkurrencën e ndershme dhe cilësinë e shërbimeve.
“Mospërdorimi i arkave fiskale ndikon negativisht edhe tek konsumatorët, duke krijuar pasiguri dhe pabarazi në treg. Çmime të paqëndrueshme: Bizneset që nuk paguajnë tatime mund të ofrojnë produkte më lirë, por kjo dëmton konkurrencën e ndershme dhe cilësinë e shërbimeve. Mungesa e garancisë për produktet dhe shërbimet: Pa faturë fiskale, konsumatori nuk ka asnjë dëshmi për blerjen dhe nuk mund të kërkojë rimbursim ose garanci. Humbje të të drejtave konsumatorit: Nëse një produkt rezulton me defekt ose është i falsifikuar, konsumatori ka më pak mundësi për të kërkuar të drejtat e tij. Mungesë transparence: Paaftësia për të monitoruar qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve mund të çojë në tregti të padrejtë dhe abuzime në cilësinë e produkteve”, përfundon ai.
Ndryshe, sipas Ligjit për Administratën Tatimore të Kosovës, në rast të mos-instalimit të pajisjeve elektronike fiskale, çdo person i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej 1,000 euro për çdo shkelje të tillë./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...
Putin: Rusia do ta marrë Donbasin me forcë nëse trupat ukrai...
Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të arm...
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...