4 raste me fruth/ Shefja e imunizimit në IKSHPK: Më të rrezikuarit janë fëmijët

11:05 | 9 Mars 2025
E.H

Katër persona janë prekur nga fruthi në vendin tonë gjatë këtij viti në periudhën janar-mars.

Shefja e vaksinimit në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Fetije Fetaj për Arbresh.info ka thënë se nga 4 rastet e prekura me fruth, 2 raste janë të importuara nga shtete fqinje, dhe se situata për momentin është e qetë.

“Kemi disa raste të konfirmuara me fruth, dy rastet e para kanë qenë në muajin janar në Fushë Kosovë dhe kanë qenë të importuara ndërsa dy rastet tjera janë në këtë muaj dhe janë në qytetin e Gjakovës”, tha Fetaj.

Tutje, Fetaj na tregon edhe se cilat grupe të popullsisë janë më të rrezikuar nga fruthi.

“Faktikisht ky virus mund të kap të gjithë moshat pa përjashtim, por më shumë ata të cilët nuk e kanë marrë vaksinimin, ndërsa më të rrezikuarit janë fëmijët më të vegjël se 12 muaj”, u shpreh Fetaj.

Sipas Fetaj, fruthi është një sëmundje mjaftë e vështirë e cila në disa raste mund të kaloj edhe në komplikime.

“Si fillim fillon me një temperaturë, me një skuqje të syve, me një koll të thatë, ndërsa pas disa dite shfaqen ndryshimet në lëkur, e rëndësishme për prindërit është që nëse fëmijët kanë këto simptoma të lajmërohen te mjeku.”, tha ajo

Fetaj tha se mënyra më e mirë për minimizimin e fruthit është vaksina.

“Në Kosovë kemi një përfshirje mjaftë të mirë të vaksinimit, kjo vaksinë jepet në dy doza, e para jepet 12 deri në 15 muaj, ndërsa e dyta 5 deri në 6 vjeç, në dy vitet e fundit kemi filluar që këtë vaksinë të japin në momentin që fëmijët regjistrohen në klasën e parë”, u shpreh ajo.

Sipas saj kjo vaksinë është mjaftë efektive, mbron imunitetin mbi 97% nëse je i vaksinuar.

“Është shumë e rëndësishme që vaksina të mos vonohet, sepse te ne prindërit për arsyeje të ndryshme e shtynë vaksinimin, një gjë që duhet të dinë prindërit është që nëse nëna e ka kaluar fruthin ose i ka marrë dy dozat e vaksinimin llogaritet që fëmija deri në 6 muaj të ketë imunitet, por nëse nëna nuk i ka marrë atëherë është i rrezikuar fëmija edhe 6 muajt e parë”, tha Fetaj.

E krejt në fund doktoresha tregon rendësin e vaksinimit dhe sa e sigurt është kjo vaksinë për të gjithë qytetarët.

“Si fund unë ju bëjë thirrjet të gjithë prindërve, të shikojnë kalendarin e vaksinimit, të shikojnë që fëmijët a i kanë marrë vaksinat në bazë të moshës, të ofrohen në qendrat e mjekësisë familjare, sepse vaksina është mjaftë efektive dhe shumë e sigurt sepse jemi vaksinuar edhe ne, dhe është fat që ne e kemi një vaksinë të tillë”, tha në fund Fetaj.

Gjatë vitit 2023 rreth 87 për qind e fëmijëve në Kosovë janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër sëmundjes së fruthit dhe rreth 95 për qind me dozën e dytë, sipas njohësve të çështjes kjo shkallë duhet të jetë mbi 95% me të dy dozat./Arbresh.info/QëndresaLuma/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme