Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, duke u bërë pjesë e programit “Military Erasmus”, i cili do t’u mundësojë kadetëve shqiptarë të trajnohen në mbi 10 akademi ushtarake të vendeve të Bashkimit Evropian.
Ky zhvillim u konfirmua gjatë takimeve të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu me krerët e strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të BE, në Bruksel.
Fokusi kryesor në këto takime ishte fuqizimi i industrisë ushtarake dhe rritja e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë sektor.
Gjatë takimit të ministrit të Mbrojtjes Pirro Vengu me Marie – Agnes Strack – Zimmermann, kryetare e Komisionit për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Parlamentin Evropian, u vlerësua kontributi i Shqipërisë në fushën e sigurisë në Evropën Juglindore.
“Teksa Shqipëria po përparon në mënyrë të gjithanshme në procesin e anëtarësimit, kërkova që vendi ynë të bëhet pjesë e mekanizmave të rinj të mbështetjes së industrisë ushtarake që Bashkimi Evropian po zhvillon për vendet e saj anëtare”, theksoi ministri Vengu.
Një tjetër takim i rëndësishëm u zhvillua edhe me Fergal O’Regan, drejtuesin e Kolegjit Evropian për Sigurinë dhe Mbrojtjen, ku u diskutua mbi ngritjen e kapaciteteve akademike, shkëmbimin e përvojave në fushën e kërkimit dhe inovacionit si dhe pasurimin e kurrikulave të trajtimit ushtarak.
O’Regan mikpriti përfshirjen e Shqipërisë në “Military Erasmus”, gjë që hap dyert për një formim më cilësor dhe të standardizuar për kadetët shqiptarë në akademitë prestigjioze të BE./atsh
Imri Ahmeti betohet si kryetar i Lipjanit për mandatin e kat...
Prishtina 01 synon çerekfinalen në Ligën e Kampionëve të fut...
Putin sfidon Trump? I premton Indisë furnizim me naftë, SHBA...
Shtyhet seanca për Erion Veliajn
Krasniqi uron kryetarët e rinj pas seancave inauguruese në K...
Kelmendi do të ankohet ndaj vendimit të Themelores që refuzo...