Nga sot e deri të dielën e 29-të të marsit, çdo lutje e jona është më afër Zotit.
Aroma e ushqimit të syfyrit, zgjoi sot besimtarët mysliman në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, muaj ky që i mundëson çdo besimtari të kësaj feje të pastrojë zemrën e tij dhe të gjejë rrugën drejt paqes shpirtërore.
Për çdo besimtar mysliman, Ramazani është një udhëtim i brendshëm, një udhëtim që kërkon durim dhe përkushtim, i mbushur me sinqeritet dhe sakrifica që na bënë të kuptojmë se vlera e çdo momenti është shumë më e rëndësishme se sa duket.
Imami i xhamisë në “Dr. Prof. Bedri Kameri” në Prishtinë, Labinot Maliqi, në një intervistë për Arbresh.info ka treguar mesazhet që sjell Ramazani tek besimtarët.
Sipas tij, ky muaj i shenjtë përveç sjell mundësinë për të pastruar shpirtin, për të kërkuar falje dhe për të pasur një afrim më të madh me Zotin, sjell edhe ndjesinë e qetësisë që mbush çdo zemër.
“Mesazhet kryesore është që ky Ramazan të reflektoj te secili prej nesh. Secili prej nesh të reflektoj dhe të bëhet më i mirë se që ka qenë deri me tani. Të reflektoj me vetën e tij, të reflektoj në raportin me krijuesin e vetë, me Zotin e gjithësisë, me më të dashurit e vetë, me familjarët, me prindërit, me bashkëshortët, me fëmijët, me rrethin, me kolegët, të jetë më i mirë se që ka qenë çdo herë më përpara. Për shkak se qëllimi i agjërimit nuk është vetëm të qëndrojmë larg pijes dhe ushqimit por edhe që ta përmirësojmë sjelljen tonë, për shkak se nuk ka kuptim agjërimi po që se njëkohësisht agjërojmë dhe në anën tjetër flasim fjalë jo të matura, të pahijshme apo edhe bëjmë veprime të çrregullta që mund ta dëmtoj ndokënd. Prandaj qëllimi kryesor është që të na bëjë të devotshëm, ti përmirësoj raportet tona dhe të na fisnikëroj shpirtin, mendjen dhe jeta jonë të jetë më e mirë dhe më optimiste se sa që ka qenë”, tha Maliqi.
Dobitë e agjërimit janë jashtëzakonisht të mëdha, thotë Maliqi teksa thekson se çdo besimtar mysliman që është i shëndoshe e i rritur, e ka kohën të dëshmojë se e do Zotin.
“Dhe Zoti na ruajt në qoftë se njeriu devijon nga udhëzimet e Zotit natyrisht që largohet nga mirësitë e Zotit dhe nuk ka të ardhme të ndritshme, nuk ka të ardhme të bujshme. Prandaj është edhe në kohë që duhet të dëshmohet kjo që njeriu të jetë prej atyre që e manifeston atë çfarë beson”, u shpreh Maliqi.
Sadakaja dhe rëndësia e saj në Ramazan
Sadakaja ka një rëndësi të madhe në jetën e çdo besimtari dhe është një nga aktet më të dashura për Zotin, sidomos gjatë muajit të Ramazanit.
Mirëpo, Maliqi potencon se sadaka nuk është vetëm ndihma financiare, po është edhe buzëqeshja e sjellja e mirë me të tjerët.
“Zoti nuk e shikon numrin e monedhës që jep, por gjithmonë e vlerëson motivin që e nxit njeriun ta jep atë çfarë posedon. Prandaj njeriu po qe së nuk ka mundësi të jap shifra të mëdha dhe ndihma të mëdha për ata që kanë nevojë, të jap aq sa ka mundësi. Madje po që se nuk ka mundës të jap para dhe ndihma të ndryshme buzëqeshja jonë, sjellja mirë me të tjerët është sadaka, është lëmoshë, është diçka e frytshme që sjell gëzim tek zemrat e njerëzve. Duke sjell gëzim duke sjell hare, duke sjell disponim të mirë tek të tjerët dhe nëpërmjet kësaj fitohet kënaqësia e Zotit dhe shpërblimi”, tha Maliqi.

Pjesë shumë e rëndësishme gjatë muajit të Ramazanit, është edhe qëndrimi larg veseve të këqija.
“Në parim ajo çfarë nuk duhet të bëjë besimtari gjatë 11 muajve të tjerë nuk duhet të bëjë veçanërisht edhe në këtë muaj. Prandaj çfarë është e ndaluar jashtë ramazanit është e ndaluar edhe në ramazan. Haramet mbeten harame, mëkatet mbeten mëkate por në mënyrë të veçantë çdo vepër e mirë shpërblehet më shumë se jashtë ramazanit por edhe mëkatet që bëhen gjatë ramazanit kanë peshë më të rëndë dhe më të madhe”, tha Maliqi.
Islami është një fe që jep lehtësi dhe nuk kërkon asgjë që është e pamundur për besimtaret, thotë Maliqi, kështu sipas tij, ndodh edhe gjatë Ramazanit, ku feja ka liruar nga agjërimi personat që kanë sëmundje të caktuar.
“Zoti i madhëruar nuk na ka obliguar me diçka që nuk mund ta bartim. Por dikush në qoftë se nuk mund të agjëroj për shkak të shëndetit të tij natyrisht që ka tolerime në mësimet e fesë islame që ai i cili nuk ka mundësi të agjëroj për shkak të shëndetit apo të ndonjë sëmundje të caktuar natyrisht i tilli lirohet mirëpo në qoftë se një besimtar i moshës së rritur dhe i shëndoshë mendërisht mund të agjëroj por ka përtesë dhe ka vështirësi natyrisht ky duhet ta forcoj imanin e tij, ta njohë më shumë Zotin e vet”, tha Maliqi.

Lutjet gjatë Ramazanit janë shumë të rëndësishme pasi çdo besimtar është më i afërt me Zotin dhe në këtë muaj të shenjtë asnjë lutje nuk kthehet mbrapsht.
Kështu thotë hoxhë Maliqi, i cili tregoi për rendësin e lutjes gjatë Ramazanit.
“Profeti i Zotit ka thënë që lutja e agjëruesit nuk kthehet mbrapa, prandaj është një moment i jashtëzakonshëm që nuk e kemi në muajt e tjerë ani se Zoti është i gjallë, sheh, dëgjon çdo kënde secilin prej nesh në mënyrë të veçantë. Por në Ramazan lutja e agjëruesit nuk kthehet mbrapa, nuk ka perde nuk ka asnjë pengesë mes krijesës dhe Zotit dhe lutja që i drejtohet krijuesit të madhërishëm”, tha Maliqi.
Agjërimi është një akt i përkushtuar, që na afron me Zotin dhe na sjell ndjenjën e përkushtimit dhe përmirëson aspektet shpirtërore të jetës së besimtarit.
Ky muaj i shenjtë na jep mundësinë për të qenë më të falënderuar dhe më të vëmendshëm ndaj gjithë asaj që kemi
Muaji i shenjtë i Ramazanit filloi sot më 1 mars dhe mbaron me 29 mars, ndërsa, të dielën e 30 marsit besimtarët mysliman festojnë Fitër Bajramin./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Fillon aplikimi për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave për...
Ndërrimi i pushtetit në veri – Flamujt e fotografia e ...
Hetemi gati për ta dorëzuar mandatin e kryetarit të Leposavi...
Lista Serbe merr pushtetin në komunat në veri të Kosovës
Arrestimet e shqiptarëve nga serbët, Syla: Mos kaloni nga Se...
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup