Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, përcolli mesazhin e ruajtjes së gjuhës shqipe nga shqiptarët e Diasporës.
Nismës së Kreut të Shtetit iu përgjigjën përfaqësues të komunitetit shqiptar që jetojnë në vende të ndryshme të botës, të cilët ruajnë gjuhën amtare ndër breza, duke respektuar njëherazi diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë.
Një grup fëmijësh të shqiptarëve në Diasporë përcollën përmes interpretimit të tyre vargjet e poezisë “Gjuhës Shqipe” të Mitrush Kutelit, një nga veprimtarët shqiptarë që, veç ndihmesës për ekonominë e vendit, përmbledhjes së rrëfenjave folklorike dhe lëvrimit të gjuhës përmes përkthimeve në shqip, iu përkushtua edhe botimeve dhe shpërndarjes së librit shqip për mërgimtarët.
Presidenti i Republikës e ka në vëmendjen e tij ruajtjen e gjuhës amtare dhe përcjelljen e saj te fëmijët nga familjet shqiptare që jetojnë jashtë vendit, duke inkurajuar, gjithashtu, hapjen e sa më shumë shkollave shqipe në komunitetet shqiptare nëpër botë përmes nismave vullnetare dhe institucionale.
Një përpjekje të tillë Kreu i Shtetit e cilëson jetike për ruajtjen e gjuhës shqipe si një nga elementet themelore të identitetit tonë kombëtar. “Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar, që duhet të na bashkojë në përpjekjen për ta ruajtur,trashëguar dhe pasuruar atë”, – shkroi Kreu i Shtetit.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare këtë vit kremtohet në të gjithë botën si Jubile i Argjendtë, pasi mbushen 25 vite nga celebrimi i saj dhe në fokus janë përpjekjet për promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimin e edukimit shumëgjuhësor./abcnews.al
Vëllaznimi mposht Prishtinën, Trepça fiton ndaj Rahovecit 0...
Ipeshkvi Dodë Gjergji bën thirrje për paqe në botë dhe përgj...
Parashikimi i motit për nesër
Haxhiu nesër zhvillon aktivitetin e parë si ushtruese e dety...
Pesë të vrarë nga një sulm izraelit në një kompleks petrokim...
Kapen 65 kilogramë drogë në Maqedoninë e Veriut, arrestohen ...