Njëvjeçari i (mos) suksesit të Franco Fodes në kombëtaren e Kosovës

17:02 | 16 Shkurt 2025
E.H

17 shkurti i vitit 2024, Franco Fodan e gjeti me një mision të ri.

Në ditëlindjen e 16-të të Republikës së Kosovës, trajneri gjerman u emërua selektor i kombëtares në futboll.

Tashmë kur janë bërë një vit nga ai moment, trajneri Franco Foda, ka shënuar rezultate pozitive së bashku me kombëtaren e Kosovës, duke arritur play-offin e Ligës B të Kombeve, ku nga aty do kërkojë kualifikimin tutje, raporton Arbresh.info.

Kundërshtar i Kosovës për një vend në Ligën B do të jetë Islanda, ku ndeshjet do të luhen në muajin mars të këtij viti.

Ndeshja e parë në Prishtinë, kurse ndeshja e kthimit u vendos të luhet në vend neutral, saktësisht në Spanjë.

57-vjeçari e kishte gjetur kombëtaren kosovare në kaos total, pas disa deklaratave të Zhegrovës e kapitenit, Amir Rrahmanit, lidhur me përzgjedhësin e kaluar Primoz Gliha.

Si një trajner me përvojë, Foda filloi t’i zgjidhte problemet me radhë. Të gjithë ishin entuziast dhe prisnin suksese nga ai, duke marrë parasysh të kaluarën me Austrinë, si dhe gjeneratën e artë dardane.

Në muajin mars të 2024-tës, Foda nisi rrugëtimin zyrtarisht me dy ndeshje miqësore.

Debutimi i gjermanit ishte i suksesshëm, pasi mposhti Armeninë me rezultat minimal 0-1.

Mirëpo ndeshja e dytë e njoftoi me humbjen e parë, e cila erdhi nga Hungaria 2-0, më pas luajti në Euro 2024.

Një tjetër sfidë luksi ishte ajo me Norvegjinë të cilën, Foda e humbi bindshëm me rezultat 3-0.

Shtatë muaj pasi mori detyrën, erdhi radha që të debutojë në sfidë zyrtare. Muaji shtator, Kosovën e gjeti në një cikël të ri të Ligës së Kombeve, me një trajner të ri.

Plot entuziazëm, shpresë dhe vullnet për një fitore në “Fadil Vokrri” ndaj Rumanisë, mirëpo që përfundoi me një humbje të rëndë në debutimin e tij në Ligën e Kombeve me rezultat 3-0.

Kjo disfatë i la pa as edhe një fjalë të vetme, sikurse futbollistët, ashtu edhe trajnerin.

Si duket, gjermani fjalët i rezervoi për ndeshjen e radhës, e cila ishte ndaj Qipros tri ditë më vonë në Larneca.

Kosova nën direktivat e Fodas, në atë ndeshje dominoi dhe në fund triumfoi me rezultat të thellë 0-4.

Një muaj më vonë, Kosova luajti dy ndeshjet e radhës, të cilat i triumfoi madje me dominim.

Tetori, ndërroi lojën

Më 12 tetor në Kanunas, të përzgjedhurit e Franco Fodas shënuan fitore e dytë me radhë, duke mposhtur Lituaninë me rezultat 1-2.

“Dardanët” ndeshjen e radhës e luajtën në “Fadil Vokrri” me Qipron ku triumfuan me rezultat 3-0.

Dy ndeshjet vendimtare për kualifikim direkt në Ligën B mbeten për nëntorin e vitit të kaluar ndaj Rumanisë dhe Lituanisë.

Një udhëtim i vështirë i priste “Dardanët” në Bukuresht duke marrë parasysh problemet politike me këtë vend dhe ashtu edhe ndodhi.

Futbollistët dhanë maksimumin në fushë dhe bën paraqitje mbresëlënëse por rezultati deri në minutat shtesë ishte 0-0. Kjo ndeshje u mbyll përpara se gjyqtari të fishkëllonte për fundin e saj.

Kjo për shkak fyerjeve raciste ndaj shtetit të Kosovës dhe kapiteni i kombëtares vendosi ta tërhiq skuadrën në zhveshtore, ku edhe pati përkrahjen e trajnerit për të mos u kthyer më.

Lojtarët nuk u kthyen dhe pas disa muajsh Kosova e humbi ndeshjen në tavolinë me rezultat 3-0.

Në ndeshjen e fundit në Prishtinë ndaj Lituanisë, të përzgjedhurit e Fodas fituan me rezultat minimal 1-0, duke marrë parasysh se

“Dardanët”, luajtën me një lojtarë më pak.

Kosova e mbylli grupin 2 të Ligës C me 12 pikë në vendin e dytë i cili i siguroi “Play-offin”. 10 gola të shënuar dhe shtatë të pësuar ishte bilanci.

Kosova, trajnerit Foda “ia pa hajrin” edhe në ardhje të reja dhe ndryshime të formacionit.

Risi pati në listën e “Dardanëve” me ardhjen e Fodas, ku për herë të parë u ftuan, Fisnik Asllani e Elvis Rexhbeçaj, teksa ftesë mori edhe gardiani i ri, Amir Saipi, Muharrem Jashari ishte njëri nga lojtarët që tash e shumë kohë e ka merituar ftesën për kombëtare dhe me ardhjen e Fodas nuk mungoi.

Tutje selektori gjerman, vëmendje iu ka kushtuar edhe shumë futbollistëve tjerë që luajnë në Superligën e Kosovës si dhe atyre që bën transfere nga elita e futbollit kosovar.

Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Lindon Emërllahu, Ilir Krasniqi, Lumbardh Dellova janë vetëm disa nga futbollistët që po marrin minutat e merituara nga selektori gjerman.

Së fundmi, ishte futbollisti Baton Zabërgja i cili po shkëlqen me Dinamon në Shqipëri, që mori ftesë për ndeshjen e nëntori nga Foda.

Viti i dytë nën menaxhimin e kombëtares dardane, Fodan e pret me dy misione të reja, fillimisht kalimi në Ligën B të Kombeve.

Një tjetër mision i rëndësishëm është edhe kualifikimi për në Kampionatin Botëror të vitit 2026, ku tashmë kombëtarja ka mësuar kundërshtarët.

“Dardanët” janë në grupin B kualifikues së bashku me Zvicrën, Slloveninë dhe Suedinë.

Ndeshjet kualifikuese të Kosovës për Kampionat Botëror fillojnë në muajin shtator./Arbresh.info/Drilon Halili /

Të ngjashme