Kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes Dedushaj me rastin e vdekjes së epidemiologu të parë shqiptar në Kosovë, Isuf Dedushaj.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti shkroi se doktori Dedushaj do të mbahet në mend edhe për kontributin e tij të veçantë si epidemiolog gjatë periudhës aq të vështirë të pandemisë Covid-19, përcjell Arbresh.info.
Ndër të tjera, Kurti ka thënë se doktor Dedushaj ka lënë pas një mori punimesh shkencore, monografish studimore dhe tekstesh universitare.
Postimi i plotë:
Këto ditë, Kosova e humbi një nga punëtorët më të shquar mjekësor të saj, Isuf Dedushajn, i cili vdiq në moshën 73 vjeçare. Doktori dhe profesori Isuf Dedushaj, ishte epidemiologu i parë shqiptar në Kosovë. I lindur më 1951 në Vuthaj, ai i kreu të gjitha shkallët e studimeve universitare në fushën e mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Zagrebit, duke u specializuar për epidemiologji dhe subspecializuar për imunologji.
Në vitin 1997, kur Unioni i Pavarur i Studentëve i Universitetit të Prishtinës organizoi protesta nga 1 tetori 1997 e tutje, Profesor Isuf Dedushaj ishte mes pjesëmarrësve të dalluar e të rregullt, gjithnjë pranë e bashkë me neve studentët. Doktor Dedushaj do të mbahet në mend edhe për kontributin e tij të veçantë si epidemiolog gjatë periudhës aq të vështirë të pandemisë Covid-19.
Gjatë karrierës së tij të gjatë, Isuf Dedushaj e ka drejtuar Kryqin e Kuq të Kosovës, pastaj e ka drejtuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe Asociacionin e Shëndetësisë Publike të Kosovës. Ligjërues në Universitetin e Prishtinës që nga viti 1983, Dr. Dedushaj ka qenë edhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Ai ka lënë pas një mori punimesh shkencore, monografish studimore dhe tekstesh universitare, siç ka lënë pas edhe një trashëgimi të pasur profesionale në institucione, përmes kandidatëve studentë të udhëhequr prej tij.
Ngushëllime familjes Dedushaj, kolegëve të tij të profesionit, miqve dhe bashkëpunëtorëve të doktor Isufit.
Në nderim të Dr. Isuf Dedushaj./Arbresh.info
Shorti i Botërorit 2026: Për herë të parë do të përmenden Ko...
Kërkoi kohë për t’u njohur me aktet, sot seanca paraprake në...
Putin: Rusia do ta marrë Donbasin me forcë nëse trupat ukrai...
Joseph: Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund ta përballojë të arm...
OVL e UÇK-së thërret konferencë për media
Superheronjtë zbresin sot në QKUK me dhurata dhe buzëqeshje ...