Qytetarët e Kosovës kohë pas kohe po vazhdojnë të përballen me rritje të çmimeve të produkteve bazë.
Kjo rritje po shfaq një ndikim negativ e të drejtpërdrejt tek xhepi i qytetarit të Kosovës.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2024 çmimet u rritën për 1.1 për qind në bazë vjetore e 0.7 për qind në atë ditore.
Ndonëse, data për zgjedhjet parlamentare është afruar, në fushatat zgjedhore nuk kanë munguar as premtime për ulje të çmimeve të produkteve bazike e rritje të ekonomisë në vend.
Sipas Selatin Kaçanikut nga OJQ “Konsumatori”, Qeveria e re mund të ndikojë pjesërisht në uljen e çmimeve, mirëpo kjo sipas tij mund të ndodh vetëm nëse ka bashkëpunim të mirë.
Në një prononcim për Arbresh.info, Kaçaniku tha se qytetarët kurrë nuk e shijuan heqjen e TVSH-së vite më parë për disa produkte duke i fajësuar prodhuesit.
“Qeveria paraprake, legjislatura e para 7-8 viteve i pati hequr disa, e disa TVSh i pati përgjysmuar. Por të gjithat mbetën në duart e prodhuesve e tregtarëve. Qytetari konsumator taksapagues nuk e shijoi asnjërën”, tha Kaçaniku.
Ndër të tjera, themeluesi i OJQ ‘Konsumatorit’ thotë se ekziston mundësia që çmimet e produkteve bazike të rriten përsëri.
“Çmimet janë si orteku i borës, kur orteku nis nuk mund të ndalet. Ngritjet e çmimeve do të vazhdojnë për shumë arsye; ndikimit të tregut global, sepse Republika e Kosovës mbi 90 % të nevojave i importon. Së bashku me importet, importohet edhe inflacioni; gabimeve gjatë privatizimeve; mungesës së Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik; mungesës së Tregut vendor / Tregut të brendshëm, që do të ishte rregullator i çmimeve, zbatushmërisë së pamjaftueshme të ligjeve”, thekson Kaçaniku.
Përveç rritjes së çmimit të disa produkteve bazë në Kosovë, në vendet Evropiane produktet e njëjta shpeshherë mund të gjenden me çmime më të lira.
Ndërsa Kaçaniku lidhur me rastet e tilla fajin ua la shtetit që sipas tij, kanë mungesë interesi.
“Për shkak të mungesës së interesimit të shtetit dhe të pa aftësisë së personave kompetentë, marzhave enorme të tregtisë së importit dhe të tregtisë me pakicë të cilat “po e mbysin” prodhimin vendor. sepse disa parti e politikanë me “donacione” e “subvencione” të tepërta e të mëdha që i marrin nga bizneset po e ngarkojnë së tepërmi çmimin e produkteve – çmim ky të cilin e paguan blerësi i fundit që është qytetari konsumator taksapagues”, shprehet ai.
Berisha: TVSH-ja në Kosovë më e lartë se në disa vende perëndimore
Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Burim Berisha për Arbresh.info pohon se Qeveria e re e Kosovës mund të ul çmimin e produkteve bazë, përmes politikave fiskale dhe ekonomike.
“Po, Qeveria e re e Kosovës, e cila do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025, ka mundësinë të ndikojë në uljen e çmimeve të produkteve bazike përmes politikave fiskale dhe ekonomike. Masa të tilla mund të përfshijnë rishikimin e normave të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), subvencionimin e produkteve esenciale ose mbështetjen e prodhuesve vendorë për të ulur kostot e prodhimit, ose fillimin e zbatimit të ligjit për çmimet tavan”, thotë Berisha.
Heqja ose ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazike dhe ato higjienike, sipas tij, është një masë që mund të ndihmojë në uljen e çmimeve për konsumatorët.
“Në vitin 2015, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për heqjen e TVSH-së për disa produkte ushqimore bazë, uljen për disa nga 16% në 8% dhe disa 0% . Aktualisht, norma standarde e TVSH-së në Kosovë është 18%, ndërsa për disa mallra esenciale zbatohet një normë e reduktuar prej 8% . Realizimi i një mase të tillë gjatë këtij viti do të varet nga prioritetet dhe vendimet e Qeverisë së re pas zgjedhjeve. Qeveria e re mundet që të gjitha produktet esenciale dhe të shportës qytetare që janë ne 18% t’i ulë në 8% dhe ato që janë me 8% t’i bëjë 0%. Kjo është e mundur”, tha Berisha.
Ulja ose heqja e TVSH-së nga produktet bazë sipas Berishës, mund të ketë një ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta dhe ato të mesme.
Tutje, Berisha ka përmendur faktorët që kanë ndikuar në diferencimin e çmimeve në tregjet e Kosovës me tregjet evropiane.
Kostot e importit, sipas tij është një nga arsyet pse produktet në vendin tonë janë më të shtrenjta. Po ashtu, tregu i vogël si dhe TVSH-ja e lartë.
“ Shumë produkte në Kosovë importohen, dhe kostot e transportit, tarifat doganore dhe shpenzimet e tjera mund të rrisin çmimin final.
Tregu i vogël: Për shkak të madhësisë më të vogël të tregut, mund të ketë më pak konkurrencë, gjë që mund të çojë në çmime më të larta.
Normat e TVSH-së dhe taksat e tjera mund të jenë më të larta në krahasim me disa vende perëndimore, duke ndikuar në çmimet e produkteve. Kostoja e prodhimit: Nëse produktet prodhohen në vend, kostot e larta të prodhimit për shkak të infrastrukturës ose teknologjisë mund të reflektohen në çmimet më të larta. Nuk do të ketë efekt vetëm zbritja e TVSH, apo zvogëlimi i saj nëse këto veprime nuk përcillen nga Inspektorati i tregut, ATK , ku ka përgjegjësi dhe inspeksioni komunal i tregut”, tha ndër të tjera Berisha.
Ndryshe, rritja e çmimit të produkteve bazë vazhdon të mbetet shqetësim për qytetarët.
Sipas raporteve të fundit të ASK-së, gjatë vitit 2024 shkalla e inflacionit ka qenë rreth 1.6 për qind.
Kosova kishte shënuar nivel rekord të inflacionit prej rreth 12.5 për qind në vitin 2022, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve.
Në vitin 2023, inflacioni u ngadalësua ndjeshëm dhe u stabilizua në një shkallë më të ulët (rreth 7-8%), por ende ishte më i lartë se norma e zakonshme e inflacionit në periudhën e para pandemisë./Arbresh.info/Ejona Hyseni/
OVL UÇK konfirmon protestën më 13 dhjetor në Shkup
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jas...
Qeveria në detyrë ndan mbi 141 mijë euro për projekte me OKB...
Putin paralajmëron nga Nju Delhi: Zgjerimi i NATO-s kërcënon...
Ambasada gjermane: Kosova ka nevojë urgjente për qeveri funk...
Ministrja Rizvanolli mban konferencë për media mbi sektorin ...