Kalon në parim Projektligji për Lojërat Mesdhetare

19:10 | 5 Dhjetor 2024
R J

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është votuar në parim Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”. Fillimisht me 58 vota u bë shmangia nga afatet procedurale siç përcaktohet me Rregulloren e Kuvendit. Ministri Hajrulla Çeku e quajti këtë si projekt me dimensione sportive, ekonomike e diplomatike për vendin.

Çeku tha se ky dokument krijon bazën ligjore dhe kushtet e nevojshme për organizimin efikas dhe të suksesshëm të kësaj ngjarje të madhe sportive.

“Ky projektligj është rezultat i një procesi të thellë analizash që është zhvilluar në dy drejtime kryesore. Fillimisht shqyrtimi i kornizës ligjore shtetërore për të identifikuar dhe adresuar të gjitha aspektet që ndikojnë në organizimin e Lojërave Mesdhetare dhe së dyti analiza e praktikave më të mira ndërkombëtare duke u bazuar në praktikat e vendeve të tjera”.

Ai tha se me miratimin e këtij projektligji Lojërat Mesdhetare shpallen çështje me interes publik për Republikën e Kosovës duke reflektuar rëndësinë strategjike që ky projekt ka për vendin.

Ai ka treguar se në krye të Bordit Drejtues të Komitetit Organizativ do të jetë kryeministri Albin Kurti e pastaj do të jenë edhe ministrat ai për sport, për financa, ministri i Infrastrukturës, për Administrim të Pushtetit Lokal. Pjesë e Bordit do të jenë edhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Sportin, katër  4 përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës, përfshirë presidentin e këtij komiteti, 3 përfaqësues të Komunës së Prishtinës, përfshirë kryetarin e saj, 3 përfaqësues nga Shqipëria, përfshirë Bashkinë e Durrësit, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Ministrinë për Sport të Shqipërisë.

I njëjti projektligj do të dalë në lexim të dytë sonte në orën 19:30 pasi u bë shmangie e procedurave që i njëjti të mund të kalojë në të dyja lexim sonte./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale