Një gjykatë në Moskë e ka dënuar shtetasin amerikan Joseph Tater me 15 ditë burg nën akuzat për akte huliganizmi pas arrestimit të tij të hënën.
Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, zoti Tater u arrestua pasi dyshohej se sulmoi një oficer policie dhe refuzoi të paraqesë kartën e identitetit.
“I dyshuari refuzoi të paraqesë kartën e identitetit dhe më pas ushtroi dhunë kundër një punonjësi të zbatimit të ligjit”, tha komiteti në një deklaratë.
Arrestimi vjen mes shqetësimeve të vazhdueshme për statusin e shtetasve të tjerë perëndimorë në burgjet ruse.
Arrestimi i zotit Tater vjen pas një shkëmbimi të burgosurve të profilit të lartë në fillim të këtij muaji midis Rusisë dhe disa vendeve perëndimore, i cili përfshinte lirimin e gazetarëve amerikanë Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmasheva, si dhe ish-marinsin amerikan Paul Whelan.
Një numër shtetasish amerikanë dhe nga vende të tjera perëndimore ndodhen në burgjet ruse nën akuza të ndryshme. Departamenti Amerikan i Shtetit po e ndjek nga afër situatën.
“Jemi në dijeni të njoftimeve për arrestimin e një shtetasi tjetër amerikan në Rusi dhe po punojmë për të siguruar sa më shumë të dhëna që mundemi, përfshirë qasjen konsullore”, tha të mërkurën zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel. “Nuk kam të dhëna specifike për shkak të shqetësimeve të privatësisë, por po punojmë që të marrim sa më shumë informacion”.
Arrestimi i zotit Tater dhe dënimi që pasoi kanë ngjallur vëmendje të përtërirë ndaj qytetarëve amerikanë dhe shtetasve të tjerë perëndimorë të ndaluar në Rusi./VOA
Sot votohet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në 18 shte...
Përfshihet nga flakët një automjet në Kaninë, dyshohet për s...
Riquelme synon ta sjellë Kloppin te Real Madridi
Krizë humanitare në Liban, OKB ngre alarmin për 1.4 milionë ...
Çeku dhe Bogujevci presin finalistët e Olimpiadës Kosovë–Shq...
Gjiganti ukrainas ofron afro 1 milion euro për kartonin e Lu...