Administrata e Presidentit Joe Biden ka mbajtur në fuqi masat mbrojtëse për ish-Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe njërin prej këshilltarëve të tij kryesorë, të cilët kanë qenë objekt kërcënimesh të vazhdueshme nga Irani.
Departamenti i Shtetit njoftoi Kongresin në fund të muajit të kaluar se kërcënimet kundër zotit Pompeo dhe të dërguarit amerikan për Iranin gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Brian Hook, vazhdojnë të jenë “serioze dhe të besueshme” dhe për këtë arsye masat mbrojtëse të ofruara nga qeveria duhet të vazhdojnë.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë shtuar, që kur filloi lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor.
Ato u përshkallëzuan më tej të mërkurën pasi dhjetra vetë humbën jetën nga shpërthimet në Iran gjatë një ceremonie përkujtimore për komandantin e Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani, i cili u vra në një sulm ajror të SHBA-së në Bagdad më 3 janar 2020.
Ish-sekretari Pompeo dhe ish-i dërguari Hook ishin fytyrat publike të fushatës së “presionit maksimal” të SHBA-së kundër Iranit pasi ish-presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin në vitin 2018. Irani i ka fajësuar të dy ata për vrasjen e Soleimanit.
Është hera e 16-të që Departamenti i Shtetit miraton masat mbrojtëse për zotin Hook që kur ai la detyrën në janar 2021 dhe hera e 13-të që i miraton këto masa për zotin Pompeo. Ish-sekrertari Pompeo gëzonte automatikisht mbrojtje për disa muaj pas largimit nga detyra.
Agjencia Associated Press njoftoi në mars 2022 se Departamenti i Shtetit paguante më shumë se 2 milionë dollarë në muaj për masat mbrojtëse për dy ish-zyrtarët.
Njoftimet nuk e identifikojnë konkretisht Iranin si burimin e kërcënimeve, por zyrtarët iranianë kanë shprehur prej kohësh pakënaqësinë e tyre ndaj ish-sekretarit Pompeo dhe ish-të dërguarit Hook lidhur me politikën e administratës së ish-presidentit Trump ndaj Iranit, përfshirë përcaktimin e Korpusit të Gardës Revolucionare si “organizatë e huaj terroriste”, sanksionet e pashembullta ndaj saj dhe organizimin e vrasjes së Soleimanit./voa
Alba Vukaj mahnit me paraqitjen e saj të fundit
Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i bashkohet ...
Hoxha Osman Musliu ndër më të votuarit në VV, lë pas pesë mi...
Trazira në Belfast pas një sulmi me thikë
775 mijë euro investim për ujësjellësin në fshatrat e Shalës...
Vetëm 1 votë për Musliun në Partesh