NATO njoftoi të mërkurën se do të ndihmonte në blerjen e deri në 1000 raketave “Patriot” në mënyrë që aleatët të mund të mbrojnë më mirë territorin e tyre ndërsa Rusia po intensifikon sulmet ajrore në Ukrainë.
Agjencia e NATO-s për Mbështetje dhe Prokurim tha se do të mbështesë një grup vendesh, duke përfshirë Gjermaninë, Holandën, Rumaninë dhe Spanjën, në blerjen e raketave “Patriot”, të cilat përdoren për t’u mbrojtur nga raketat me vetëdrejtim, raketat balistike dhe avionët e armikut.
Sipas burimeve të industrisë, kontrata për blerjen e këtyre armëve mund të jetë rreth 5.5 miliardë dollarë.
Blerja mund të ndihmojë aleatët që t’i japin Ukrainës më shumë armë nga sistemet e tyre të mbrojtjes. Agjencia e NATO-s tha se “vende të tjera pritet të përfitojnë nga kushtet e kontratës”, pa dhënë hollësi të mëtejshme mbi këtë.
“Sulmet e Rusisë me raketa dhe dronë ndaj civilëve dhe qyteteve të Ukrainës tregojnë se sa e rëndësishme është mbrojtja ajrore moderne”, tha përmes një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. “Rritja e prodhimit të municioneve është thelbësor për sigurinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë.”
Si organizatë, NATO ofron vetëm mbështetje logjistike për Ukrainën, por anëtarët e saj dërgojnë armë dhe municione veç e veç ose në grupe.
Rusia ka shtuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë periudhës së Vitit të Ri dhe të premten kreu sulmin e saj ajror më të madh që nga fillimi i luftës pothuajse dyvjeçare në Ukrainë, duke vrarë të paktën 39 persona.
Dy qytetet më të mëdha të Ukrainës u goditën herët të martën nga raketat ruse, që vranë pesë njerëz dhe plagosën 130 të tjerë, thanë zyrtarët, ndërsa lufta po i afrohet përvjetorit të saj të dytë./voa/
“Gjuha shqipe nuk është privilegj”, studentët e Kosovës prot...
Costa në Prishtinë: BE rikonfirmon mbështetjen për Kosovën n...
Incidentet në Zvërnec, arrestohen dy personat që tërhoqën me...
Allegri drejt Napolit, sot takimi vendimtar me Milanin për s...
Adelina Tërshani dorëzon në polici dosje me 650 faqe kërcëni...
Gjenerata e re e Kosovës në xhudo vazhdon përgatitjet në Kam...