Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm publikon parregullsitë e hasura në Ministrinë e Jashtme

17:33 | 21 Nëntor 2023
E.G

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm me anë të një komunikate për media ka shprehur shqetësimet në lidhje me sistemimin dhe mos plotësimin e vendeve të punës në pozita udhëheqëse në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë (MPJD).

Sipas njoftimit të Sindikatës, aktualisht në MPJD është një “Zëvendësues të Sekretarit të Përgjithshëm” i cili jashtëligjshëm (pa konkurs, i ngritur në pozite nga disa nivele më të ulëta dhe nga ish-Ministria e Diasporës pa përvojë në bërjen e politikës së jashtme) emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Akademisë Diplomatike dhe përnjëherë me Vendimin e Zëvendëskryeministres/Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës numër 08/2022 të datës 10.01.2022 caktohet zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm të MPJD-së, përcjell Arbresh.info.

“Nga data 10 janar 2022 (Ligji nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, neni 35), pozita e “Sekretarit të Përgjithshëm” është “uzurpuar” me “zëvendësues” në kundërshtim me të gjitha normat dhe legjislacionin paraprak dhe atë aktual në fuqi të Republikës së Kosovës. Si rezultat, të gjitha vendimet e nxjerra nga “Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm” pas datës 10.01.2022 kanë pasoja juridike.”, thuhet në njoftim.

Tutje, kjo shoqatë thotë se për një periudhë dy vjeçare në MPJD në Prishtinë, 6 nga 13 departamente nuk kanë Drejtorë.

“Metodat uzurpuese nuk ndalojnë vetëm me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm pasi që për një përiudhë pothuajse dy vjeçare në MPJD në Prishtinë, sipas Rregullores (ZKM) nr. 01/2022, janë 13 Departamente kyçe, por 6 nga këto departamente nuk kanë Drejtorë.”, njofton Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtë.

“Pa drejtorë kanë qenë edhe departamente të fushatave kryesore e të rëndësisë së lartë për vendin, si “Departamenti për Evropë, BE dhe Rajon”, “Departamenti për Amerika”, “Departamenti për NATO dhe Politika të Sigurisë”, “Departamenti për Diplomaci Publike”, “Protokolli i Shtetit”, “Departamenti për Çështje Ligjore dhe Traktate” etj.”, thuhet tutje në njoftim.

Ndër të tjera, kjo shoqatë e konsideron shqetësuese, por mbi të gjitha jashtë çdo norme ligjore, centralizimi i këtyre fushave kryesore dhe të rëndësisë së lartë për vendin tek pozita e “Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm”.

Sipas Rregullores së njëjtë, këto departamente kanë 31 divizione (njësi vartëse), bën të ditur Shoqata.

Fatkeqësisht, 9 divizione nuk kanë Udhëheqës, ndërkaq së fundmi janë emëruar 3 “Zëvendësues të Udhëheqësve të Divizionit” pa konkurs, pra pa konkurrencë të hapur në krahasim me kolegët që janë më kompetentë e kanë më shumë përvojë pune.

“Kjo nënkupton se përveç se rreth 40 % e divizioneve nuk kanë udhëheqës. Me aplikimin e metodave të tilla klandestine po ushtrohet pabarazi në punë dhe në karrierë duke shkelur kështu parimet bazë të Kushtetutës së vendit. “, njofton Shoqata.

“Këto të gjetura janë vetëm disa nga parregullsitë e hasura në MPJD.”, thuhet në njoftim.

Sindikata ka thënë se do të njoftojë opinionin publik edhe për të gjetura tjera veç e veç./Arbresh.info/