Arrestimi i asamblistit të VV, Abdixhiku: Ftoj Prokurorinë e Shtetit ta hetojë këtë rrjet

13:40 | 15 Gusht 2023
E.K

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me raportimet për arrestimin e Besnik Mujecit, asamblist i VV-së, i cili dyshohet se ka transportuar drogë në Shqipëri.

Në rrjetin e tij social Facebook, kreu i LDK-së ka thënë se synimet e LVV-së muaj më parë për kapjen e ndërmarrjeve publike ne kryeqytet është tentativë e trishtë dhe e dështuar.

“Muaj më parë, Lëvizja Vetëvendosje kishte provuar me pazaret më të pabesueshme të mundshme, të përmbyste vullnetin e qytetarëve të Prishtinës, duke kapur ndërmarrjet publike të Kryeqytetit. Kjo tentativë e trishtë e tyre, kishte dështuar pa nisur mirë; ndonëse përballë na shpërfaqeshin grupet kriminale më të çuditshme. Se si ishin bërë bashkë të gjithë kundër shumicës sonë; ishte sa dëshpërim për nivelin politik në vend, aq dhe befasi. Kishte një interes që nuk e kuptonim dot atëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, synim asokohe i VV-së, ishte dhe marrja e Stacionit të Autobusëve të Kryeqytetit.

“Sot, teksa një asambleist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asambleist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë”, ka pohuar Abdixhiku.

Sipas Abdixhiku, pazaret e tilla kanë pasur një qëllim më të thellë.

“Pazaret e tilla duket se kanë patur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë”, ka thënë Abdixhiku.

I pari i LDK ka ftuar Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet, në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces.

“Qytetarët e Prishtinës i sigurojmë se bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet. Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku./Arbresh.info/