Arrestohet një i dyshuar për vjedhjen në Teqenë e Madhe në Gjakovë

09:40 | 9 Qershor 2023
Emir Abduramani

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë për vjedhjen e parave dhe stolive të arit në Teqenë e Madhe në Gjakovë më 22 maj.

Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari Xh.Th, 48 vjeçar, është arrestuar mbrëmë pas një hetimi të gjatë dhe shikimi të qindra orë video-incizime.

Me datën 22.05.2023 ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të pa njohur kishin depërtuar brenda në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur në dy kasaforta para të gatshme në vlerë të konsiderueshme, disa çelësa  personal, dhe disa stoli të arit.

Arrestohet  i dyshuari: Xh. TH., i lindur në vitin 1975, shtetas i Republikës së Kosovës mbi dyshimin e arsyeshëm se i njëjti me datën 22.05.2023 kishte kryer veprën penale vjedhje e rëndë. Me vendim të gjykatës është kryer kontroll në objektet e banimit të të dyshuarit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar: një pistoletë me një karikator, gjashtë copë fishekë, disa stoli ari, rrobe, telefona dhe disa gjëra tjera të cilat dyshohet se janë përdorur me rastin e kryerjes së vjedhjes:, njofton Policia.

Të gjitha veprimet hetimore të ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje.

Ndaj tij është iniciuar rast penal për hetim “Vjedhje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi dhe kontroll të paautorizuar të armëve”’./Arbresh.info