Shefi i inteligjencës ushtarake të Lituanisë tha se Rusia ka burime të mjaftueshme që ta vazhdojë luftën në Ukrainë edhe për dy vjet me intensitetin aktual.
Moska tha se nisi “operacionin e posaçëm ushtarak” në Ukrainë një vit më parë për të luftuar kërcënimet e sigurisë. Por, Kievi dhe Perëndimin e kanë quajtur luftë të paprovokuar për të nënshtruar një shtet të pavarur.
“Burimet të cilat Rusia i ka aktualisht do të ishin të mjaftueshme për të vazhduar luftën në intensitetin aktual edhe për dy vjet”, tha shefi i inteligjencës të Lituanisë, Elegijus Paulavicius.
“Se sa gjatë mund të luftojë Rusia po ashtu do të varet nga mbështetja për ushtrinë ruse nga shtetet sikurse Irani dhe Koreja e Veriut”, shtoi ai gjatë një deklarimi për gazetarë.
Paulavicius po ashtu paraqiti raportin për kërcënimet kombëtare, të përpiluar nga agjencitë e inteligjencës së shtetit. Në raport u tha se hakerët e lidhur me qeveritë ruse dhe kineze më 2022 vazhdimisht kanë tentuar të hyjnë në kompjuterët e Qeverisë lituaneze.
“Prioriteti i tyre vazhdon të jetë mbledhja e informacioneve, në aspekt afatgjatë, lidhur me çështjet e brendshme dhe të jashtme të Lituanisë”, u tha në raportin e agjencive të inteligjencës lituaneze.
Megjithatë, aty nuk u përmend nëse këto përpjekje ishin të suksesshme.
Lituania ka qenë një prej kritikeve më të ashpra të Rusisë në Bashkimin Evropian dhe është përballur me zemërimin e Kinës pasi më 2021 lejoi Tajvanin të hapte ambasadën e tij de facto.
Zyra e të dërguarit kinez në Vilnius nuk komentoi menjëherë për këto deklarata. Rusia po ashtu vazhdimisht ka mohuar akuzat për aktivitete kibernetike jashtë vendit.
Shërbimet e inteligjencës së Lituanisë thanë se sanksionet ende nuk kanë dëmtuar aftësinë e Rusisë për të financuar ushtrinë e saj, pasi Moska po merr burime të të ardhurave nga sektorë të tjerë./rel
Grupi i pestë i haxhilerëve kthehet në Kosovë nga vendet e s...
Trump: Iranit i kanë mbetur vetëm rreth 22% e raketave
Mbi 10 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 13:00 në përfa...
SHBA riafirmon rëndësinë strategjike të KFOR-it për stabilit...
Konfirmohet nga Policia: Vdes gruaja që ra nga një ndërtesë ...
Zvërneci, Rama sjell shembullin e Portugalisë: Ria Formosa, ...